Këngëtari i dhembjes shqiptare

Xhevdet Bajraj nuk është poet i zakonshëm. Aktualisht, ai bën pjesë në mesin e krijuesve të paktë letrarë shqiptarë që njihen më shumë jashtë se sa brenda arealit tonë kulturor.

Ai lindi në Panorc të Malishevës, kurse u rrit në Rahovec – në qytetin e verës dhe të poezisë.

Jeton në Meksiko Siti dhe punon si profesor i letërsisë në njërin prej universiteteve më prestigjioze meksikane. Shkruan kryesisht poezi dhe përkthen nga spanjishtja e serbo-kroatishtja në shqip dhe anasjelltas.

*

Xhevdeti pati rrugë të veçantë afirmimi. Vëllimi i tij i parë poetik “Nënë prej guri” (1988), e ngriti përnjëherë në majen e poezisë sonë bashkëkohore. Me përmbledhjen e dytë “Emblemë e vdekjes” (1993), ai fitoi shpërblimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë të vitit, sukses ky që do ta përsërisë edhe 7 vite më vonë me përmbledhjen “Liria e tmerrit”.

Me veprat e botuara pas përfundimit të luftës në Kosovë, Xhevdeti shpalon dhembjet që, si askush tjetër, dimë t’ia shkaktojmë vetvetes. Në këtë rrugë është gati i vetëm, sepse të tjerët kalamenden akoma në dimensione andrallash që na bëjnë të marshojmë në vend.

Vargu i tij buron nga thellësitë e shpirtit, i sinqertë dhe sugjestiv, duke na kursyer nga notat patetike të atdhetarizmit me llafe, prapa të cilit fshihen maskarenjtë e Samuel Johnson-it.

Në tri përmbledhjet, që ia botoi shtëpia botuese BREZI 9: “Kur engjëjt qajnë”, “Blues nën qiellin e indianëve” dhe “Dritë e zezë” portretizohet imazhi i ethshëm i golgotës shqiptare, para dhe pas luftës së Kosovës. Në një shkrim timin të mëhershëm unë e kam parafrazuar me vargjet e Xhevdetit botën motivore të vëllimit “Kur engjëjt qajnë”: Në pranverën pa qengja, pa engjëj, pa lulediej, liria pret ta zbresin nga kali i vdekjes krushqit prej balte, delet mitike që kanë përthekuar diellin, kafshët që kullosin jetën shqiptare… Zogu rri mbi kulmin gri me diellin e përgjakur në sqep, dhembja ndërron këmishën si gjarpër, krymbi i majmur i ngre fustanin lirisë, trimat e pasluftës kalërojnë mbi klithmat e atyre që s’janë më… Gjithçka ka mbetur përjetësisht e ngrirë e Atdheu është bërë fjalë që e vrasim përditë – fjalë që na vret përditë…

Po e njëjta frymë i përshkon edhe veprat tjera të Xhevdetit, sepse edhe ato i kanë rrënjët në dhembje: në dhembjet e shkaktuara nga kafshët që kullosin jetën trojeve shqiptare dhe në zhgënjimet e përjetuara në agun e lirisë së Atdheut, që ta përkujtojnë atë kohën e rilindësve tanë të mbrëmë, kur, pas shpalljes së pavarësisë së gjysëmshtetit shqiptar, nisën të pyesin: lirinë e bëmë, si ta bëjmë shqiptarin?

Xhevdeti i thur me mjeshtri edhe vargjet erotike që hasen në cikle të tëra poezish, si te “Këngët e mjellmës” në librin “Kur engjëjt qajnë”, ku, me perla imazhesh e tingujsh origjinalë, që në thelbin e tyre kanë optimizmin dhe dritën që shpie përtej tuneleve të errët ballkanikë, i këndon dashurisë së përjetuar sipër sfondit të acartë të një diktature.

Thënë shkurt: Xhevdet Bajraj është poet i lindur, poet që u vinë më rrallë edhe letërsive më të mëdha se kjo jona. Krijuesve të rangut të tij ua di gjithkush “kimenë”.

Ai është krijues i denjë për të përfaqësuar vargun shqip në cilëndo metropol arti, ku njerëzit konsumojnë vlera shpirtërore pa shtytje snobe.

Unë i kam besuar artit të tij që nga takimi i parë me të dhe vazhdoj t’i besoj edhe sot e gjithë ditën. Edhe më fuqishëm se dje, edhe me i sigurt se dikur. Natyrisht, ndjehem mirë kur poezisë së tij i besojnë edhe miqtë e mi të penës, si poetesha e vargjeve bilur Linditë Ahmeti, e cila Xhevdetin e quajti: KËNGËTAR TË DHEMBJES SHQIPTARE.

Dhe Linda ka të drejtë, sepse dhembja është kroni nga i cili rrjedhin vargjet e Xhevdetit, sepse askush më bukur, më natyrshëm dhe më sinqerisht nuk ia doli t’u këndojë dhembjeve shqiptare të shkaktuara nga tjetri – nga njerëzit më të vegjël se muti i tyre, që planifikojnë vrasjen e njerëzimit. Veçmas nuk ia doli kush si Xhevdeti të shkruajë poezi mbi heronjtë e luftës që pas saj nisën t’ia ngrenë fustanin lirisë

Ky është me pak fjalë leje njoftimi i poetit të mirënjohur anembanë kontinentit që i dha njerëzimit shkrimtarë të mëdhenj, si: Borhesi, Neruda, Markesi, Kortasari, Rulfo, Llosa…

E dhëna që Xhedveti u gjet në kësi habitati kulturor e letrar, që iu dha mundësia t’i lexojë në origjinal perlat përpara të cilave përkulet bota, që iu dha rasti të takohet e të shkëmbejë përvoja krijuese me korifenj të gjallë letërsie…, e bëri atë ky që është sot: pa dyshim njërin prej poetëve tanë më të njohur ndërkombëtarisht dhe më të kërkuarin prej lexuesish të kultivuar që kanë nevojë të komunikojnë me krijime vjershëtorësh, jo me dokrra vargnuesish.

*

Me Xhevdetin jemi bërë miq të ngushtë muaj të tërë para se ta takonim njëri-tjetrin. Shkas i njohjes u bënë poezitë dhe librat e dhuruar nga vëllai i tij Fadili – përkthyesi i vargjeve të Ginsbergut, Poundit, Bukovskit… dhe njohësi brilant i poezisë bashkëkohore amerikane.

Më pastaj, gjatë 6-7 muajve të konfliktit në Maqedoni, kemi shkëmbyer nga 2-3 letra në ditë, në të cilat, përveç ngjarjeve që lidheshin me luftën, kemi folur e debatuar shpesh edhe për letërsinë, kiçin, filozofinë e shtrungave letrare, gungat nga të cilat vuan kultura jonë, ëndrrat e së ardhmes…

Pikat më pikante të këtij komunikimi të ditëpërditshëm i përbënte humori i zi, i cili ma ruante qetësinë shpirtërore përgjatë stinës së pikëpyetjeve dhe shpresave të mëdha.

Në këtë letërkëmbim të dy kemi pasur emra heronjsh legjendarë të letërsisë arbëreshe. Për Xhevdetin unë isha Bue Shpata, kurse ai për mua Nikë Peta.

Në letrat e shkruara pa sikletin e ndjenjës në e qëllova apo ia futa kot, në mënyrë krejt spontane i shkruaja Xhevdetit për gjithë atë që ndodhte në trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme, përfshirë këtu dhe lajmet shpesh kontraverse dhe nxitëse të konfliktit, të plasuara nëpërmjet mediave të vërdhemta, kurse ai i ndërlidhte të gjitha me tmerret e përjetuara gjatë luftës së Kosovës, në të cilën kishte humbur familjarë, miq dhe njerëz të dashur.

Nuk e kam biseduar me Xhevdetin, po për mua ai letërkëmbim përbën ndoshta portretin më interesant të një konflikti të përjetuar nga ndjesitë atipike të dy sizmografëve të apasionuar pas letërsisë. Ku ta dijë njeriu: ndoshta një ditë dakordohemi ta publikojmë pa i hequr asnjë presje të vetme…

Kur u sos lufta, nisa t’i shkruaj më rrallë Xhevdetit. E lashë të lirë që të mos humbë energjitë me mua, sepse e konsideroj poet të madh dhe poeti nuk ka kohë për të humbur me gjëra që nuk mund të barabiten me vlerën e monumenteve estetike.

Nga letërkëmbimi në fjalë, unë e kuptova herët se Xhevdeti është: i “çmendur” si Lasgushi, me dhembjet e Migjenit, me shpirtin e  madh të Agollit dhe me racionalitetin e Kadaresë. Këtë e dëshmojnë librat e tij, që ndryshojnë prej njëri-tjetrit ashtu siç ndryshon krijuesi i gjendur në udhën shumëkahëshe të jetës.

E kuptova gjithashtu se shpirti i tij, përkundër distancave gjeografike, vazhdonte të banojë në Rahovec. Prandaj angazhohet edhe për afirmimin e poetëve të tjerë shqiptarë në botën latino-amerikane. Produkt i altruizmit të tij është Antologjia e poezisë shqipe në spanjishte, e nxitur nga krupa e shkaktuar prej ca antologjive karikatura që nuk plotësojnë asnjë kriter botimi.

Është kjo dëshmia + e veçantisë së tij, e tipareve tipike vetëm për nositët e mëdhenj të letërsisë, që në botën e vrapit pas famës janë gjithkund minoritet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button