Uzurpohet një terren sportiv në Komunën e Çairit

Tjetër terren sportiv i keqpërdorur nga Komuna e Çairit, përfshi edhe parkun e banesave përreth tij, në lagjen Fushë-Topanë të Çairit. 1/3 e hapësirës publike mes rrugëve Metodija Mitevski dhe Bllagoje Paroviq rezulton në pronësi të Mehmet Imishtit nga Vizbegu i Shkupit, i cili ditë më parë ka vendosur rrethoja në atë hapësirë dhe u ka sugjeruar fëmijëve të largohen, pasi në këtë vend do të ngrihet një ndërtesë banimi. Qytetarët, të revoltuar nga vendosja e rrethojave, kërkojnë llogari nga Komuna e Çairit lidhur me lejen e ndërtimit për këtë ndërtesë të re, pikërisht në hapësirat që duhet të jenë për shfrytëzim publik. Qytetarët kërcënojnë me masa radikale, deri në ndalimin e këtij plani.

“Edhe këtë duan të na e zaptojnë. Jemi mësuar me veprime të tilla. Njëherë i kanë rrethuar, pastaj e shohin se nuk reagojnë banorët, fillojnë të ndërtojnë ndërtesë. Aty fitojnë biznesmenët dhe ata të cilët japin leje ndërtimi, i marrin nga 100-200 mijë euro dhe pasurohen në kurriz të popullit. Këtë vend nuk ia ka bërë askush atij. Nëse ai e ka privatizuar, është dashur fillimesh t’i lajmëroj banorët të cilët jetojnë këtu për rreth. Nëse komuna nuk na përkrahë që të mos uzurpohet ky vend, atëherë do të kenë pengesa nga ne”, u shpreh një qytetar.

“Pres nga institucionet që t’i marrin të gjitha masat dhe të veprojnë në interes të qytetarëve. Sidoqoftë, të gjithë ne banorët e Çairit duhet të mblidhemi bashkë dhe t’i themi stop, sepse kjo është pronë e jonë, dhe jo e tyre dhe vendosim njëherë e përgjithmonë që këtë pleh që po ndodh nëpër Çair ta largojmë nga këtu. Do të marrim masa radikale”, tha një tjetër qytetar.

Nga Komuna e Çairit mohojnë se në vendin e rrethuar do të ngrihet ndërtesë për banim, duke mos dhënë sqarime rreth lejes apo personit që ka vendosur rrethojat. Përmes një sms-it, njeriu i autorizuar për informata me karakter publik nga Komuna e Çairit, na tha shkurt: “Komuna e Çairit nuk ka informacion për një veprim të tillë. Personi i ka vendosur rrethojat me vetiniciativë”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë është parashikuar të ndërtohet në parcelën numër 2135/2, a ka apo, jo leje ndërtimi dhe kush është investitori?

Ekipi ynë nuk gjeti ndonjë njoftim publik në atë vend, që të paralajmëronte fillimin e punimeve atje. Gjithashtu mbetet e paqartë se si i është dhënë ky truall personit Mehmet Imishti? A ka dhënë ose jo pëlqim për këtë Ministria e Financave? Për Alsat M, i pakapshëm ishte edhe zv/ministri i Financave Ardian Xheladini. Nga kabineti i tij na njoftuan se nuk është mirë me shëndet.

Ligji për kthim-kompensimin e tokave garanton kthimin e tokës personit fizik, vetëm nëse ajo nuk është në përdorim. Në rast se trualli bie në ndonjë rrugë, institucion ose hapësirë publike, atëherë ligji i garanton personit në fjalë, kambial. Ky është rasti i dytë i keqpërdorimit terreneve sportive në Çair, pas atij të tenisit, i denoncuar ditë më parë nga ALSAT M.

Lajme të ngjashme

Back to top button