Takim mes Menduh Thaçit dhe ambasadorit të Holandës

Situatën politike në vend, procesi i integrimit, zhvillimet në dialogun midis partive politike ishin në fokusin e takimit të sotëm mes kreut të PDSH-së Menduh Thaçi dhe ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Wouter Plomp.

“Në takim duke folur për marrëveshjen e 2 Qershorit dhe zbatimin e saj, kryetari Thaçi vlerësoi se kjo marrëveshje nuk do të ketë asnjë vlerë pa eliminimin e mundësisë së manipulimeve, vjedhje edhe falsifikimit të zgjedhjeve, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë për reforma në kodin zgjedhor, si dhe krijimin e mekanizmave me të cilat do të garantohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Kryetari Thaçi theksoi se prioriteti i PDSH-së në tërë këtë proces është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, me të vetmin qëllim eliminimin e parregullsive të deritanishme siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve”, thuhet në njoftimin e PDSH-së.

Ndërkohë ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Wouter Plomp theksoi se vendi i tij përkrah zbatimin e plotë të reformave në vend si dhe mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër Thaçi ka siguruar ambasadorin Plomp se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button