Nëna denoncon të bijën: Eshtë prostitutë, ndalojeni

Një histori mes mëshirës dhe mizores është braktisja e një foshnje vetëm 1 vjeçe, e ngjizur nga një 15-vjeçare me dajën e saj.

Të ardhur në botë mes mjerimit, të rritur e të zhytur mes tij, duke kërkuar lëmoshë për mbijetesë, të braktisur nga shoqëria. Këto janë dramat në familjen Skura në Durrës.

Një familje prej 10 anëtarësh, pa asnjë mbështetje ekonomike nga bashkia, të papunë ku fëmija më i madh është 20 e më i vogli një vjeç e gjysmë, mbijetesë kanë vetëm lypjen në bulevardet e Durrësit.

Jetojnë në një barake të fshehur, në dritat vezulluese të restoranteve, ndërsa vajzat e kësaj familjeje marrin rrugët e prostitucionit, e djemtë atë të lypjes. Marvina ishte 15 vjeçe kur e nisi ‘zanatin’, sapo kishte lindur një vajzë, sot gjendet pas hekurave të komisariatit të Durrësit.

Nëna e saj, Flutura, e detyruar nga situata ku ndodhet familja e saj ka denoncuar vajzën për prostitucion. “Vajza prostituon. Ka tentuar të vrasë vajzën e saj të vogël, Ervinën, që është një vjeçe. Ta arrestojnë. Vajzën e ka bërë me vëllain tim. Foshnjën do ta çojmë në jetimore”. Kështu ka deklaruar  40-vjeçarja Flutura Skura, gjyshja e foshnjës.

Gjyshja me fëmijën e vogël në krahë, Ervinën, denoncon fëmijën e saj të katërt Malvinën, të bërë nënë në moshën 15-vjeçare. Në polici gruaja kërkoi jo vetëm arrestimin, por edhe gjetjen e një strehe të përhershme për foshnjën e ardhur në jetë nga incesti. Ndërkaq, minorenia është ndaluar dhe është shoqëruar në polici ku po merret në pyetje.

Flutura, çfarë denoncuat në polici?
Vajzën time, Malvinën. Ajo mori rrugën e keqe. Ka braktisur fëmijën e saj një vjeçe. Ka tentuar edhe ta vrasë. Del dhe punon prostitutë tek Ura e Dajlanit. E punojnë ca çuna që unë nuk i njoh. Ajo ikën nga shtëpia, nuk e mbledh dot më.Çfarë ju ndodhi mbrëmë?

Mbrëmë isha te vajza tjetër në Spitallë. Ajo ishte tek Vollga. La atje fëmijën në mes të rrugës dhe shkoi të punonte tek Ura e Dajlanit me ata djemtë. E ka marrë një lypëse vajzën e vogël, e mbajti në shtëpinë e saj dhe ma solli sot në mëngjes.

A ka baba vajza e vogël?
Vajza më tha që shtatzënë mbeti me dajën, vëllain tim. Ai ka ikur, nuk ia dimë adresën, u arratis sapo vajza mbeti shtatzënë.

A e denoncuat në polici vëllain tuaj?
Po, por s’e di a e kanë marrë parasysh denoncimin që bëra. Se s’kanë ku ta gjejnë, ai është larguar dhe nuk mban përgjegjësi.

Me çfarë merreni, si e siguroni jetën?
Mbahemi duke lypur. Nuk mund ta mbaj këtë vajzë të vogël, sepse kam tetë fëmijë vetë. S’kam me se ta rris, sepse nuk kemi as ndihmë ekonomike e as sociale. Janë 10 frymë që nuk mbushin dot barkun. I kërkova policisë të bëjë letrat që ta çojmë në jetimore vajzën e vajzës. Sot do ta mbaj në shtëpinë time, nesër do ta çojmë në jetimore.

Çfarë kërkoni ju?
Ne kërkojmë që të jetojmë si njerëz. Po me se? Nga varfëria dhe fukarallëku na kanë ndodhur të gjitha këto. Vajza na ka nxirë faqen dhe për këtë duam që të vuajë dënimin./Gazeta Shqiptare/

Lajme të ngjashme

Back to top button