Fragmente nga vendi ku ndodh asgjëja (II)

Këtu trivialiteti ka triumfuar mbi kreativitetin dhe nesër është sërish nesër.

Këtu pleqtë sillen si fëmijë dhe fëmijët jetojnë vitet e pleqve.

Këtu e njëjta këngë e bezdisshme këndohet ku(r)do.

Këtu e njëjta valle monotone luhet nga lindja deri në vdekje.

Këtu shkrimtarët shkruajnë shumë dhe lexojnë pak.

Këtu atdhetarin e shpallin poet dhe poetin e shpallin tradhtar.

Këtu gazetat nuk botojnë poezi, sepse redaktorët lexojnë veç shkrime gazetareske.

Këtu intervistohen manekinet e striptizeret për çështje kulturore e politike.

Këtu librat falen, sepse askush nuk i lexon.

Këtu diskutohet për libra politikanësh e manekinesh.

Këtu gazetarët e kulturës merren me dasma e martesa “vip”-as e viçash.

Këtu shpallen gjeni ata që nuk kanë shpikur asgjë.

Këtu gjeniun nuk e kujtojnë as pas vdekjes.

Këtu mëkatarët priten solemnisht dhe zyrtarisht në ngjarje solemne.

Këtu bardët e kombit shpallen të pavlerë.

Këtu më shumë çmohen fallxhoret dhe secili është më kompetent se sa mjeku.

Këtu njerëzit janë kureshtarë, ta lexojnë letrën në xhep dhe t’i matin vezët në peshojë.

Këtu jetohet me thashetheme se kush me kë bën dashuri ilegale.

Këtu laviret i shpallin shenjtore dhe shenjtoret i shpallin lavire.

Këtu njerëzit vizitojnë tempujt e altarët pasi kthehen nga kurvëtorja.

Këtu mëkatarët luten për dënimin e mëkatarëve.

Këtu thithen të gjitha aromat e mëkatit nga ligjëruesit e moralit.

Këtu adhurohet dhunuesi dhe akuzohet i dhunuari.

Këtu nuk i shkelin mizat ata që vrasin njerëzit.

Këtu jeta e njeriut është e pavlerë dhe pushka kris për hiçgjë.

Këtu hipokrizia është mundësi jetese.

Këtu flitet mirë për gjërat që nuk pëlqehen dhe për ata që nuk i duam.

Këtu ata që kërkojnë shërbime të pista flasin për ndershmëri e vlera.

Këtu është turp të jesh i ndershëm dhe krenari të jesh maskara.

Këtu të pandershmit pandershmërisht flasin kundër pandershmërisë.

Këtu kërkojnë të jesh hajn ata që flasin kundër hajnisë.

Këtu hajnat ruajnë paratë dhe pasurinë kombëtare.

Këtu hajnat thonë: “Faleminderit Zot që mi dhe këto të mira!”

Këtu të japin edhe çelësa parajse nëse je pjesë e territ të mendjetharëve.

Këtu harxhohet më shumë se sa fitohet dhe fitojnë ata që nuk punojnë.

Këtu mbijetojnë ata që punojnë dhe jetojnë në luks ata që jetojnë me punën e tjetrit.

Këtu rrugët kanë emra kriminelësh e hajdutësh.

Këtu shkollat janë pagëzuar me emra persekutorësh të mësuesve.

Këtu jetohet për inat të fqinjit dhe urrehet suksesi i tjetrit.

Këtu dështimet personale paraqiten si dështime të kombit.

Këtu servilët e djeshëm bëhen kritikuesit e sotëm të pushtetit kur u preken interesat e tyre.

Këtu maskarenjtë e djeshëm shfaqen si engjëj të sotëm.

Këtu shpallen të persekutuar të privilegjuarit e përhershëm.

Këtu shpallen tradhtarë të persekutuarit e djeshëm.

Këtu të persekutuarit e djeshëm bëhen persekutuesit e sotëm.

Këtu shumëkush mendon për ikjen dhe pakkush mendon për kthimin.

Këtu, thjesht, ndodh paradoksi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button