Serbia për fudbollistët e saj, do të dërgojë kuzhinier në Elbasan

Serbët kanë vendosur që në ndeshjen futbollistike që do të zhvillohet në pjesën e parë të muajit të ardhshëm në Elbasan Arena, të marrin me vete një kuzhinier serb, i cili do të përgatit ushqim enkas për kombëtaren e Serbisë.

Sipas mediave serbe, këtë e komentojnë si frikë nga autoritetet serbe, duke e pasur parasysh ndodhinë gjatë ndeshjes së zhvilluar në Beograd, ku u lëshua një dron me flamurin i cili përmbante hartën e Shqipërisë së Madhe dhe dy heronjve shqiptar.

E përditshmja serbe “Sport” shkruan se për të shmangur çfarëdo incidenti, njerëzit përgjegjës në Federatën e Futbollit të Serbisë, kanë vendosur që në pjesën e ekipit të jetë edhe një kuzhinier serb, punë e cila i është besuar një njeriut që ka qenë shpesh nëpër udhëtime me ekipet më të mira.

Fjala është për Velimir Mitroviqin, kuzhinieri kryesor i hotelit “M”. Ai do ta kontrollojë ushqimin, do ta përpilojë listën me specialitet e preferuara të futbollistëve, që do t’i shijojnë gjatë qëndrimit të tyre dyditorë në Shqipëri.

Federata e Futbollit të Serbisë, sipas kësaj gazete, dëshiron që të tregohet e kujdesshme pas zhvillimeve të fundit në Bjellorusi, ku lojtarët e Luksemburgut janë helmuar nga ushqimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button