Neziri: Industria e ndërtimit, e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë

Me rastin e shënimit të jubileut 60 –të vjeçar të ekzistimit të Çimentores USJE në Shkup u mbajt konferenca me temë: “Ndikimi i materialeve ndërtimore mbi cilësinë e ndërtimit”, në të cilën morën pjesë Ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Bekim Neziri, si dhe përfaqësues të opinionit shkencor dhe biznesit, raporton Anadolu Agency.

Boris Hrisafov, drejtori ekzekutiv i kompanisë “Çimentorja USJE”, tha se në mjediset e turbullta të biznesit, ndryshimet e shpejta në faktorët që ndikojnë në suksesin e një kompanie, më e rëndësishme është të fokusohemi në cilësinë, e cila është një nga prioritetet kryesore dhe politikave zhvillimore strategjike të përcaktuara në Çimentoren USJE.

Në fjalën e tij në këtë konferencë, Ministri i Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Neziri, foli për rëndësinë e industrisë së ndërtimit, e cila sipas tij, është një motor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë së Maqedonisë, siç dëshmohet edhe nga treguesit përkatës ekonomikë.

“Industria e ndërtimit është një zhvillim i rëndësishëm ekonomik i vendit tonë, ajo përbën rreth 0.6 përqind të PBB-së së përgjithshme të vendit, duke siguruar të ardhura të drejtpërdrejtë për rreth 3,600 familjeve. Në industrinë e ndërtimit punojnë dhe marrin pjesë rreth 180 kompani dhe firma, dhe norma mesatare e rritjes është rreth 6% në vit, e realizuar në tre vitet e fundit, “tha Neziri.

Ai më tej shtoi se rëndësia e industrisë së ndërtimit është konfirmuar nga fakti se ajo në totalin e prodhimit industrial merr pjesë me një total prej 7.5 përqind dhe shënon rritje të vazhdueshme të prodhimit, kryesisht për shkak të rritjes së vëllimit të punëve ndërtimore, si rezultat i projekteve kapitale të qeverisë.

Sipas tij, rritja e produkteve të ndërtimit në tregjet vendase dhe të huaja ka të bëjë me faktin se Republika e Maqedonisë po punon në gjashtë laboratorë të akredituar për testimin e produkteve të ndërtimit, në përputhje me rregullat dhe standardet evropiane.

“Në drejtim të krijimit të vazhdueshëm të një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj dege, Ministria e Ekonomisë në kuadër të juridiksionit të saj ka përgatitur një ligj të ri për produktet e ndërtimit miratuar në qershor të këtij viti. Ligji është në përputhje me kërkesat e reja rregullatore të legjislacionit të BE, “shtoi ai Neziri.

Në konferencë marrin pjesë profesorë universitarë nga vendi dhe rajoni për të diskutuar rreth ndikimit të materialeve të ndërtimit në cilësinë e ndërtimit të ndërtesave, duke diskutuar këtë çështje në shumë aspekte.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button