Xhaferri: Ata që thonë se MO-ja ka vdekur, le të ofrojnë zgjidhje

“Tash për tash nuk kam të dhëna precize statistikore. Nuk është çështja vetëm e asaj se sa shqiptarë dhe sa maqedonas punësohen kemi edhe komunitete tjera, sipas Kushtetutës duhet të trajtohen edhe ato. Komuniteti shumicë duhet ta hap perspektivën e saj, nuk munden komunitetet më të vogla. Përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese, nuk është vetëm numra në administratë. Është e drejtë shumë themelore”, kështu është përgjigjur zëvendës kryeministri Musa Xhaferri në pyetjen se sa është përfaqësimi i shqiptarëve në administratën e Maqedonisë, sot në Shkup, gjatë prezantimit të analizës së Marrëveshjes së Ohrit, raporton Portalb. Ai nuk foli për numrin e të punësuarve të pa sistemuar që marrin rroga e rrinë në shtëpi.

Portalb njofton se janë bërë tre vite që opinioni nuk di çfarë ndodh me punësimet të cilët bëhen në kuadër të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO). Cili është numri i saktë i të punësuarve, sa janë shqiptarë, në cilët sektorë, sa prej tyre në pozitat udhëheqëse? Nuk është publikuar asnjë dokument, me të cilin para opinionit të gjërë të raportohej njëkohësisht edhe mbi arritjet në sferën e implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO). Analiza e fundit kuantitative është e vitit 2012, ndërsa më shumë se një dekadë mungon analiza cilësore mbi implementimin e MKO.

Edhe pse fillimisht e premtoi këtë analizë më 13 gusht (LEXO: Xhaferi: Analiza për MO-në do publikohet më 13 gusht ) e më pas në nëntor, sot thanë se kjo do të ndodhë në konferencë ndërkombëtare në dhjetor ku do të prezantohen të gjitha rezultatet.

Më tej Xhaferri pranon se edhe pse Marrëveshja e Ohrit është integruar plotësisht në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ajo nuk po gjen zbatimin në praktikë për shkak të mungesës së vullnetit politik ndërsa porosit të tjerët që ankohen të japin zgjidhje.

“Akoma ka parti politike dhe individë që thonë se e keqja që i ka ndodhur Maqedonisë është Marrëveshja e Ohrit dhe nuk japin ndonjë zgjidhje. Ata që thonë Marrëveshja e Ohrit është e vdekur le të krijojnë terren për t’i shtyrë proceset”, porositi Xhaferri.

Së bashku me ministrin Xhaferri sot ishte edhe ambasadorja e OSBE-së Nina Suomalajnen dhe përfaqësuesi nga Instituti evropian për paqe, Piter Fejt.

OSBE inkurajon Qeverinë e Maqedonisë në arritjen e rezultateve pozitive

Analiza që do të botohet në dhjetor është pjesë e projektit “Pasqyrë e Marrëveshjes së Ohrit”, i cili synon të bëjë një rishikim të plotë të kësaj marrëveshjeje, për të parë ngecjet në secilin sektorë të saj veç e veç, i përkrahur nga OSBE. Më tej, projekti fokusohet në vlerësimin e rolit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) në rritjen e kohezionit social, në anti-diskriminimin, decentralizimin, arsimin, përfaqësimin e barabartë, përdorimin e gjuhëve, si dhe në komunitetet numerikisht më të vogla.

Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Institutit Evropian të Paqes, koordinon punën e gjashtë grupeve punuese tematike me përfaqësues të ministrive dhe institucioneve përkatëse, të cilat përgatisin analiza dhe rekomandime të politikave që do të paraqiten për konsultime të gjera me shoqërinë civile, akademikët dhe partitë politike në fillim të muajit nëntor.

Procesi i rishikimit të MKO-së është i koordinuar me rekomandimet e Priebe-s dhe Planit veprues të qeverisë mbi prioritetet e reformave lidhur me çështjet ndëretnike. Ky proces poashtu është ndjekur nga afër nga Komisioni Evropian, i cili ka vënë në dukje në raportet e progresit nevojën për të përfunduar shqyrtimin e MKO-së.

Diplomati Fejt: MKO mbetet çelës i eurointegrimeve të Maqedonisë

Diplomati holandez Piter Fejth, që ishte i përfshirë në arritjen e Marrëveshjes Kornizë në vitin 2001, porositi që ta pyesim Qeverinë se përse 14 vjet më vonë, ende bisedohet dhe analizohet ecuria e implementimit të saj.

“Komisionari Han shumë qartë e definoi implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, është prioritet i Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe reflekton në raportin e progresit. Ngecjet e implementimit në Maqedoni nuk janë të panjohura për praktikën ndërkombëtare.”, theksoi Piter Fejt.

Lajme të ngjashme

Back to top button