Hajt, hajt, mirë e ban Zoti

E dini, fshatrat tona kanë shtëpi të mrekullueshme, kurse rreth tyre – lulishte, për të cilat kujdesen kopshtarët profesionistë. Kaloj herë pas here nëpër fshatrat tona të bukura.. Dhe… Dhe rrallë shoh njerëz rrugëve të fshatrave. Në vend të tyre aty bredh pikëllimi. Pikëllimi është gospodar absolut i fshatrave. Atje nuk e kam dëgjuar të vlojë gëzimi i fëmijëve. Dëgjohet gurgullima e përrenjve malorë, të cilët tash nuk janë as për pije as për të ujitur, por edhe ajo i shpërndan tingujt e dhembshëm që mund të dëgjohen vetëm në oazat që janë thellë në Saharë e ku kanë mbetur pak beduinë pleq.

Para disa ditësh isha në fshatin e lindjes. Dhe, njerëzit më thanë se nga dy fshatra fqinje mezi e bëjnë një klasë me shtatë a tetë nxënës. Atje ku para disa vjetëve vlonte nga zërat e nxënësve, tash pikëllon qetësia. Qetësi në oborret e shkollave, qetësi nëpër shtëpitë e bukura, qetësi gjithkund…

Kthehem unë si burrë i mirë në shtëpi. Dhe, shiko, pas meje vjen pikëllimi e cila i ka pushtuar  visoret e fshatrave. Pikëllimi është si hija dhe të ndjek me ngulm sa ta hetojë se emocionet tua janë vënë në lëvizje.

I shtrirë në kauçin e vjetër, të cilin duhet ta ruaj mirë, për shkak se kriza për çdo ditë troket nëpër dyert tona, çfarë të bëj – shikoj televizion. E rrotulloj komandën dhe i ndërroj kanalet televizive. Gjithandej hapëron pushteti në stilin e Përpara e Titos! Shkojnë përpara njerëzit e pushtetit, i vizitojnë fshatrat e harruara. Dhe, në mes të fshatit i pret paria mysafirët vipa. Ata e praktikojnë një mënyrë të re të mikpritjes, një mikpritje që mund ta gjesh ndoshta në këngët që i këndon Zyber Avdiu, Ermal Fejzullahu, po edhe Sinan Hoxha me shokë, diçka si pikëllimi i mbështjellë me celofan dhe e zbukuruar me gajtana kinezë. Plaku i katundit u del përpara njerëzve të cilët mezi ecin nga barra e pushtetit dhe i përqafon, ashtu – vëllazërisht. Pastaj fshatarët i shtrëngojnë me radhë dorën pushtetit. Në fytyrat e lodhura u lëvare një buzëqeshje e paqartë.

– E si jeni mor njerëz të mirë? pyet pushteti.

– Mirë, mirë! përgjigjen fshatarët, por nga pak i vret ndërgjegjja, sepse nuk janë plotësisht të sinqertë. Nuk e kanë falur bash ashtu bosh buzëqeshjen e tyre. Presin ata ndonjë bonbone nga pushteti. E dini nga ato bonbonet me lara të cilat ndahen para zgjedhjeve. E dinë ata se me shpenzimet e buxhetit ndërtohen legjendat e shtrenjta të stilit tallava, e dinë se tash është momenti që edhe ata ta nxjerrin ndonjë thërrmijë nga buxheti.

– Nuk kemi ujësjellës, thonë fshatarët.

– Do ta bëjmë pas tre muajsh, thotë pushteti. – Jo bre për tre muaj, por që nesër do të fillojmë. Kjo është punë që s’pret! Ndërhyn ai që e ka fjalën kryesore në atë mexhlis demokratik pushtet-popull.

Fshatarët nuk janë të sigurt për këtë premtim të dhënë, mirëpo shpresa është ajo që i kontrollon njerëzit dhe ëndrrat e tyre. Ajo i detyron shpesh që të bien në gjunjë. Nuk e kanë lehtë fshatarët, por vetëm kjo, mendojnë ata, mund të jetë mënyra të zgjidhet çështja e ujit. Kurse uji është jeta vetë.

Shkon pastaj pushteti në ngrehinat e bukura me kolltukë të shtrenjtë, kurse fshatarët shndërrohen në një Godo kolektiv. Presin. Ku ta dish, ndoshta kësaj radhe u shkrep nafaka. Por shpejt pasta lëshohet pikëllimi mbi fshat, si mjegulla e nëntorit. Mezi duken shtëpitë e bukura të cilat kryesisht i kanë ndërtuar ata të brezit të parë të gastarbajterëve. Kthehet edhe qetësia. Një qetësi e rëndë. Ndërsa fshati u ngjan varreve të rregulluara bukur në Zvicër. Në shumicën e shtëpive nuk ka jetë, sepse shumica e fshatarëve e kanë marrë botën në sy, veçmas të rinjtë, sepse nuk kanë ujë, sepse nuk kanë punë. Kanë ikur dhe e kanë lënë brenda shtëpive të tyre shpresën.

Pastaj qetësinë e prish një këngë tallave: “Hajt, hajt, mirë e ban Zoti”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Eh more z. Xhabir! Ndër ne thonë se mund të hecësh rrugicave të ngushta të fshatrave tanë edhe me shpejtësi dhe mos ki frikë, se po të del ndonjë fëmijë në rrugë, se fëmijë nuk ka!
    Reply

  2. Nuk ka çfarë të komentohet në këtë tekst e gjitha është thënë bravooo…. Hajt, hajt,mirë e ban Zoti.. Po ne populli…

Back to top button