BAJRAM SPECIAL

“Elida, posa u ktheva ablla nga një extra udhëtim, pa celular pa Internet. Në hotelet s’kishte kompjuter demek mysafirët kanë ajpodët apo laptopët e vet. Laptopi im tre javë te mjeshtri, as ai paraqitet as unë e kërkoj se më mirë kështu, më vetvetja…Nesër kismet ta nis kolumnën”, i shkrova mbrëmë shefes, ish-studentja ime, ndër të dalluarat (e kam thënë edhe në mexhlise tjera, nuk është që e trajtoj këtu me të mirë 🙂 )

Ditët festive ishin më të bukurat e sezonit, vitit, ndoshta dhe më gjerë e që do e kuptoj pasi koha ti klasifikojë mbresat momentalisht tepër taze për ti “objektivizuar”, s’di tjetër shprehje.

Bajrami i parë jashtë shtëpie, krejt në lëvizje.

Nisëm rrugës së Kombit.

Dita e parë në Prizren pasi Tahiri e ka qejf (si ekonomisti të ri i paskan ofruar punë në Kosovë, ka thënë se pajtohet vetëm për Prizren dhe Pejë, me këtë radhitje). Prizrenin e paska zgjedhur pasi për shumëçka i është dukur si Tetova, atëherë. Sot, gati gjysmëshekulli më pas, ngjashmëritë ndërmjet dy qyteteve kanë mbetur në ato që ka falur Zoti ose historia e vjetër, kurse dallimet, në dëm të Tetovës, i gjen në shumëçka që ka prekur dora e njeriut apo e pushtetit.

Dita e dytë e festës na gdhiu në shtëpinë 321 vjet e vjetër ku ka lindur Filip Shiroka, e cila me përkushtim, estetikë dhe respekt për traditën është shndërruar në hotelin sot më të njohur të Shkodrës. Qyteti që ka lumin (Buna, Drini), liqenin dhe detin është me gjeografi unikale në botë, na thanë vendasit. Përveç ujërave gjithandej, këtu afër janë 13 maja Alpesh mbi 2.000 metra: bën plazh, mandej alpinizëm, e që po ashtu radhitet ndër margaritarët natyrorë të kësaj ane.

Pas rrugës së Kombit ia mësymë Rrugës sonë të kujtimeve, ndanë bregdetit malazias me pikësynim Cavtatin afër Dubrovnikut. Prindërit kishin 30 vjet pa e bërë këtë udhë, dhe ky ishte qëllimi: kthimi pas në kohë, kujtime me patinë si dhe detaje qesharake që janë mbajtur mend…Tama shfletim albumi familjar. Me vetëm pak ndryshime, Cavtati duket si në memorien tonë, frymon si atëherë, prandaj është atraktiv, me plot vizitorë të huaj. Paralelet me turizmin tonë modern, respektivisht të prapambetur, ishin të pashmangshme. Por edhe kjo mbetet për tjetër herë, ashtu si stacioni i fundit Ulqini, Kalaja fantastike, një kafe mëngjesi me Van Damin shqiptar që kishte refuzuar karrierë holivudiane pasi “nuk di të bëj filma” dhe një Shumaher shqiptar dhe ky, që ngjitej në përpjetën e Kalasë me “kërsh” veturë dhe shpejtësi marramendëse aq sa përfunduam se ndoshta mbështetet nga Komuna si atrakcion lokal turistik 🙂

Ai që na e mundësoi kënaqësinë ekskluzive të shëtisim tre shtete dhe shumë qytete, qyteza, lokalitete historike dhe atraksione tjera të agjendës për Bajram, duke ma ditur tabiatin nuk harroi të ma tërheqë vërejtjen me kohë: mos më përmend aman në tekste! Dhe nuk do ia përmend emrin as nuk e zgjas më tepër se bamirësit e njëmendtë janë ata që veprojnë në anonimitet, pa fanfare, pa marketing bile as edhe në rrethet e ngushta.

Kënaqësia e humanitetit pa mikrofon është kënaqësi kulmore, sigurisht e dini nga përvojat personale, qofshin të pakta apo të shumta – kush sa e ka zemrën, e jo kush sa e ka kuletën.

Pasi për gjestet që i bëjmë apo nuk i bëjmë për ti lumturuar tjerët por dhe veten, faktori vendimtar mbetet “kurumi” i njeriut”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button