Marrëveshja e Ohrit, sot Xhaferi duhet të tregojë çfarë ende duhet bërë

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, sot në konferencë për shtyp do t’i zbardhë disa hapa që duhet të ndërmerren për zbatimin e plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.

Kjo temë nga dje është futur në bisedimet e grupeve punuese, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, me kërkesë të BDI-së, mëson “Meta”.

Me kërkesë të integristëve, për rrjedhën e deritashme të zbatimit të Marrëveshjes kornizë ka folur edhe ndërmjetësuesi i BE-së, Piter Fejt i cili ka pasur prezantim voluminoz para përfaqësuesve të katër partive.

Mësojmë se partitë kanë pasur debat konstruktiv rreth Marrëveshjes kornizë dhe nuk e kanë kundërshtuar fjalimin e Fejtit, i cili pas takimit nuk zbardhi detaje për atë se çfarë përmbanë analiza e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ishte ky një takim i partive politike, deshëm shkurtë t’i njoftojmë liderët politik për këtë punë. Mos të ngutemi. Do të informoheni nesër ngase procesi sapo ka filluar. Të jemi të durueshëm dhe të shohim si mund të organizohet më së miri” deklaroi Fejt dje pas takimit.

Dje partive politike, nga ndërmjetësit evropian u është prezantuar edhe plani aksionar për zgjidhjen e çështjeve të Marrëveshjes së Përzhinos. Në parimi është arritur marrëveshje që deri nga mesi i tetorit të zgjidhet çështja e mediumeve, ndërsa në periudhën e njëjtë është kërkuar që të gjindet zgjidhje edhe për çështjet më komplekse, para se gjithash për votimin e Diasporës.

Deri më tani, siç dihet, është arritur marrëveshje për emërimin e anëtarëve të KSHZ, që do të zgjidhen me formulën “tre plus tre plus tre” gjegjësisht tre anëtarë do të zgjidhen nga opozita, tre nga pushteti dhe tre ekspertë do të zgjidhen nga Kuvendi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button