Qytetarët ankohen: Shtatori, muaji më i shtrenjtë i vitit!

Pas pushimeve verore, fillimi i vitit shkollor dhe përgatitjet për stinën më të ftohtë të vitit, po e rëndojnë shumë shportën e konsumatorëve. Sipas qytetarëve që kontaktoi Portalb, shtatori është muaji më i shtrenjtë i vitit. Disa arrijnë t’i mbulojnë të gjitha harxhimet, por disa të tjerë në mungesë të parave, nuk arrijnë t’i sigurojnë as drunjtë për ngrohje.

“Për dallim nga muajt tjerë, në shtator si gjithmonë harxhojmë më shumë. Deri tani mund të them se kemi harxhuar rreth 500 euro vetëm për blerjen e mjeteve shkollore për dy fëmijët (prej të cilëve djali është në shkollë fillore, vajza në të mesmen), blerjen e drunjve për t’u ngrohur dimrit dhe disa perime për turshi, por akoma perime duhet të blejmë në ditët në vijim.”-deklaroi për Portalb 46 vjeçarja, Miqirem Ajrullai nga Kumanova.

“Këtë muaj më së shumti harxhojmë. Nga njëra anë fillimi i vitit shkollor (njëra vajzë mëson në shkollë fillore dhe dy të tjerat në universitete) e nga ana tjetër përgatitjet për dimër. Ja vetëm harxhimet për fillimin e vitit shkollor dhe disa perime na u bënë rreth 1000 euro. Ende kam për të blerë perime tjera dhe drunjtë për ngrohje. Jemi duke ndërtuar shtëpi të re. Të dhëna gjithandej! Asesi nuk arritëm të shkojmë në det për pushime. Bashkëshorti dhe i biri punojnë në mërgim dhe ia dalim disi, por me pagën mesatare të Maqedonisë asnjëherë nuk do të mund t’i mbulonim të gjitha këto harxhime.”- tha 42 vjeçarja, Arife Abazi, nga fshati Haraçinë, Shkup.

Për Portalb foli edhe Ali Beqiri nga fshati Brodec i Tetovës, i cili tha: “Janë rritur harxhimet shumë! Thuajse 100 euro kushtuan përgatitjet për fillimin e vitit shkollor për fëmijët. Ndërsa nuk kemi mundësi të përgatitemi për dimër: kemi mbetur pa turshi e pa drunjë. S’kemi para për t’i blerë! Se si do ta kalojmë këtë dimër nuk e dij! Për të ngrënë do ia bëjmë disi, por më shumë brengosem se si do të ngrohemi.”

Përndryshe Gordana Lazarova, nga Enti Shtetëror për Statistika konfirmoi për Portalb se statistikat zyrtare për shtatorin do të publikohen në datën 07 të muajit tetor dhe se para kësaj date nuk ka të drejtë të jap asnjë koment. Gjatë gushtit, për dallim nga muaji paraprak ka pasur rritje të indeksit të harxhimeve në: perime të freskëta (2.7%); pemë të freskëta (1.7%); produkte mishi dhe peshku (0.6%); fruta të thata dhe pije jo-alkoolike (0,3%); sallame të qëndrueshme, qumësht të freskët, perime të ngrira dhe ëmbëlsira (0,2%);. Gjithashtu është regjistruar rritje e shpenzimeve të qytetarëve për shërbime të ndryshme, si transport ajror (31.4%), ushqim në restorane (0.5%), sende personale higjienike dhe bizhuteri (0,2%)./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button