Maqedonia dhe Serbia gënjejnë për vendkalimin kufitar Llojan-Miratoc!

Të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc tashmë janë përmbushur. Megjithatë vendkalimi kufitar është ende i pahapur. Sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski hapja e vendkalimit kufitar është çështje mes dy shteteve, prandaj duhet që të dyja të pajtohen. Ai konfirmon për Portalb interesin e Maqedonisë për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, por sipas tij mungon vullneti nga qeveria serbe. E nga ana tjetër, deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaron qëndrimin e autoriteteve serbe, sipas të cilave Maqedonia nuk ka interes për hapjen e këtij vendkalimi.

“Jemi në kontakt me qeverinë serbe, momentalisht nga ana e tyre përgjigjen se nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk kanë ndonjë interes të posaçëm për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc. Edhepse nga ana jonë ka interes, atë vendkalim nuk mund ta hapim vetë.”– kështu Ivo Kotevski iu përgjigj pyetjes se çfarë po e pengon hapjen e vendkalimit kufitar në fjalë.

Ai konfirmoi se rruga e nevojshme në territorin e Maqedonisë është e asfaltuar tashmë, por duhet të asfaltohet edhe rruga në territorin e shtetit fqinj:

“Po, rruga nga ana jonë është asfaltuar dhe ka interes popullata jonë lokale për hapje të vendkalimit kufitar, por nga ana tjetër nuk ka interes për momentin.-tha Kotevski dhe ritheksoi “Do të donim që edhe nga ana tjetër të ketë interes. Sepse nuk mund të hapet vendkalimi kufitar nëse nuk ka kontroll edhe nga ana tjetër.”

I pyetur a ekziston infrastruktura e nevojshme në territorin e Serbisë Shaip Kamberi u përgjigj për Portalb:
Rruga regjionale që lidh Bujaocin dhe Preshevën me Llojanin, është asfaltuar para disa viteve, edhe atë si project i financuar nga USAID- i amerikan, nga ana e Maqedonisë, poashtu ajo është e asfaltuar deri në kufi dhe në këtë aspekt ekzistojnë kushtet infrastrukturore që kjo edhe të realizohet. Por, duket se janë motivet politike të njërës apo palës tjetër, që ende s’po shprehin gatishmëri për ta hapur kufirin.”

Secila palë (Serbia dhe Maqedonia) ia len fajin palës tjetër. Përgjigjet që marrim nga autoritetet në Beograd, thonë se pala Maqedonase nuk ka interes për këtë kufi.-deklaroi ai, i pyetur  çfarë po e pengon hapjen e vendkalimit kufitar. Kamberi ndër tjerash sqaroi për Portalb: Unë zyrtarisht kam kërkuar nga qeveria e Serbisë përgjigje në pyetjen se a to të hapet dhe kur do të hapet kufiri Llojan – Miratoc dhe nëse jo çka e pengon këtë. Pres përgjigje në këtë pyetje. Por, ne do të kemi rastin që këtë temë ta shtrojmë së shpejti edhe me ambasadorin e Maqedonisë në Beograd, tek i cili, ne dy deputetët shqiptarë do të kërkojmë pranim për ta shtruar këtë çështje.

Shaip Kamberi foli edhe për nevojën e hapjes së vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc duke thënë: Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tradicionalisht kanë lidhje të forta me shqiptarët që jetojnë matanë kufirit në Maqedoni. Raportet mjaft intensive mes këtyre vendbanimeve shqiptare nga koha kur kemi jetuar në një shtet të përbashkët, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të këtyre komunave. Sot, kur Lugina e Preshevës është e getoizuar, në rrethanat në të cilat Serbia nuk ka as IPA fonde të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar, është e nevojshme që të krijohen mundësi të qarkullimit të lirë jo vetëm të njerëzve por edhe të mallrave për ta intensifikuar zhvillimin lokal ekonomik të komunave tona. Prandaj hapja e vendkalimit LLojan – Miratoc, mendoj se do të jetë një hap i rëndësishëm për të ringjallur lidhjet e dikurshme ekonomike mes këtyre komunave të cilat gjenden në situatë ekonomike gati të pashpresë që po ndikon në largimin e rinisë tonë./Portalb.mk

LEXO: Kush e pengon hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc? (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Back to top button