Zgjedhjet në Katalonjë, partitë që synojnë pavarësinë fitojnë shumicën në parlament

Bazuar në të dhënat zyrtare për zgjedhjet rajonale në krahinën e Spanjës, Katalonjë, partia separatiste “Së bashku për PO” (Junts pel Si) dhe kandidatët e Unionit Popullorë (CUP) kanë fituar bashkë 72 ulëse, shumicën në parlamentin katalonas, raporton Anadolu Agency (AA).

Është njoftuar se janë hapur mbi 92 përqind të kutive të votimit. Nga gjithsej 135 vende në Parlament, koalicioni të cilën e drejton partia “Junts pel Si”, ka fituar shumicën. Kjo parti ka fituar 62 deputetë, ndërsa CUP ka fituar dhjetë ulëse. Njëkohësisht “Së bashku për PO” ka dalë fituese në shumicën e distrikteve të Katalonjës.

Kryetari aktual i Katalonjës, Artur Mas tha se janë korrur dy fitore njëkohësisht. “Demokracia dhe PO-ja kanë fituar. Dëshirojmë që e tërë bota të njoftohet për fitoren e Katalonjës dhe fitoren e PO-së. Kemi kryer detyrën, por ka akoma për tu bërë” tha Mas.

“Po shkruajmë faqet më të bukura të historisë sonë. Rroftë Katalonja”tha Oriol Junqueras, lideri i partisë majtiste republikane (ERC).

“Ky sukses është arritur pavarësisht armiqësive, gënjeshtrave dhe sulmeve. Populli nuk është frikësuar dhe tani na duhet të realizojmë qëllimin tonë (pavarësinë) tha bartësi në listën e partisë “Së bashku për PO” Raul Romeva.

Nga ana tjetër, partia Ciudadanos ka arritur suksesin më të madh. Në këto zgjedhje ka fituar 25 ulëse në parlament, përderisa në vitin 2012 kishin vetëm nëntë. Partia Socialiste e Katalonjës (PSC) fitoi 16, Partia Popullore e Katalonjës  (PPC) 11, ndërsa partia “Catalunya si que es pot” e cila këtë vit për herë të parë garon në zgjedhjet ka fituar 11 ulëse deputetësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button