Analizë: Shteti për çdo ditë merr hua prej 2 milionë eurosh!

Projektime optimiste buxhetore për vitin zgjedhor 2016. Qeveria pret rritje të ekonomisë prej 4% me përqindje të inflacionit prej 2%. Vitin e ardhshëm qeveria planifikon të harxhojë 4,7% më tepër se sa këtë vit, ndërsa të mbledhë 6% më shumë të ardhura. Në vitin 2016, për kur janë paralajmëruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të harxhohet buxheti më i madh deri tani prej rreth 3,2 miliardë eurosh, tregon analiza ekonomike e Portalb.mk. Vitin e ardhshëm qeveria planifikon ta lëshojë në përdorim eurokambialin e ri – marrjen e huave në tregun e huaj.

Në vitin 2016 – qeveria do të lëshojë në përdorim eurokambialin e ri…

Sipas projektimeve të reja buxhetore, vitin e ardhshëm deficiti buxhetor duhet të jetë 3,2% ose 308,6 milionë euro, nivel ky që është më i ulët në krahasim me nivelin aktual. Në vitin 2016, qeveria paralajmëron se do ta lëshojë në përdorim eurokambialin e ri, por edhe se do të vazhdojë me rritjen e nivelit të borxheve me afat të gjatë.

“Mjetet financiare për deficitin e projektuar për vitin 2016 dhe pagesa e borxheve do të sigurohen duke marrë hua jashtë vendit edhe atë duke e lëshuar në përdorim eurokambialin në tregun ndërkombëtar të kapitalit, me marrjen e huave në tregun vendor të letrave shtetërore me vlerë dhe me tërheqjen e mjeteve nga kreditë e volitshme nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe linjat kreditore të dedikuara për financimin e projekteve të veçanta. Me qëllim të optimizimit të pagesave dhe zvogëlimit të rrezikut për rifinancim, obligim kryesor i Ministrisë për Financa do të jetë rritja e afateve të maturimit të letrave të lëshuara me vlerë duke lëshuar kambiale shtetërore me afate më të gjata të maturimit”, thuhet në propozim-buxhetin për vitin 2016.

Gjatë vitit 2016 duhet të kthehen 95 milionë euro për kamata. Në krahasim me këtë vit, vitin e ardhshëm duhet të zvogëlohet niveli i përgjithshëm i huave.

Sipas analistëve edhe me buxhetin e ri vazhdon trendi i rritjes së ngarkesës me borxh.

“Në vitin 2015 kemi gjendje në të cilën për çdo ditë ngarkohemi me borxh prej 2 milionë eurosh, dhe kjo flet për harxhimin joekonomik të parave. Nuk e di a bëhet fjalë për pafytyrësi ose për mosdije, mirëpo të ndahen para për rroga dhe pensione më të larta me para të marra hua nuk është në rregull. U bëj apel pensionistëve me pyetjen “A do të votonit për një qeveri e cila do t’ua rrisë pensionet për 600 denarë e pastaj nipat tuaj të trashëgojnë borxh prej 2 milionë eurosh në ditë?”. E kjo është ajo politikë e dëmshme e blerjes së votave në vit zgjedhor dhe për këtë nuk ka arsyetim”, thotë për Portalb analisti Vitanov.

Buxheti i ri e përçau komunitetin e biznesit, një pjesë e afaristëve i përshëndetën projektimet për investime kapitale, ndërsa një pjesë dyshojnë se ekonomia do të mund ta realizojë rritjen e projektuar.

“Për komunitetin e biznesit më i rëndësishëm është segmenti i zhvillimit, gjegjësisht realizimi i investimeve kapitale, ndërtimi i autostradave, rrugëve lokale dhe rajonale, modernizimi i trafikut hekurudhor, si dhe rregulli i infrastrukturor i zonave të lira ekonomike me qëllim të tërheqjes së investitorëve të rinj”, deklaroi Aleksandar Zarkov, drejtor operativ i Lidhjes së odave ekonomike.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se:

“Me buxhetin e ri janë planifikuar 12,8% për investime kapitale dhe kjo është kalkuluar mirë. Gjithsesi, këto investime kapitale janë të rëndësishme për ekonominë. Nga ana tjetër përqindja e rritjes prej 4% duhet të analizohet mirë, dhe atë e shohim me skepticizëm për shkak se akoma janë të pranishme turbulencat politike dhe mendoj se realisht nuk mund të pritet përqindje e tillë e rritjes së PBB-së”, thotë për Portalb Nebi Hoxha, kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Sipas projektimit për vitin 2016, qeveria pret rritje të investimeve bruto prej 7,5%. Tre vite me radhë, qeveria e propozonte, ndërsa shumica parlamentare e miratonte buxhetin pa prezencën e partisë më të madhe opozitare të LSDM-së.

Ku, si dhe për çka do të harxhohen 3,2 miliardë euro…

Më tepër para për rroga, subvencione, mallra dhe shërbime, transfere për komunat, shpenzime kapitale, pensione. Qeveria e propozoi buxhetin më të madh në historinë e vendit prej rreth 3,2 miliardë eurosh. Kështu, vitin e ardhshëm vetëm për rroga të atyre që marrin rrogë nga buxheti i shtetit do të shpenzohen 421,2 milionë euro, për mallra dhe shërbime 321,4 milionë euro ose vetëm për këto dy zëra vitin e ardhshëm do të shpenzohen pothuajse 743 milionë euro. Kryeministri Nikolla Gruevski, nëpërmjet rrjeteve sociale paralajmëroi se në vitin 2016, në mënyrë plotësuese do të rriten pensionet dhe ndihmat sociale.

“Që kur kjo garniturë qeveritare është në pushtet, buxheti është rritur në mënyrë dramatike, do të thoja është dyfishuar. Domethënë në shtatë, tetë vitet e fundit kemi rritje të vazhdueshme të buxhetit, edhe real edhe nominal. Pyetje kyçe është se sa buxhetet e tilla ishin të shoqëruara me përqindje përkatëse të rritjes ekonomike. Maqedonia, në periudhën e njëjtë për të cilën flas, ka përqindje mesatare të rritjes ekonomike që rrotullohet rreth tre ose tre përqind e gjysmë. Me rritjen e dyfishtë të buxhetit e pa përqindje përkatëse të rritjes ekonomike, kjo mungesë e parave për financimin e shpenzimeve të planifikuara duhet të mbulohet prej diku, e ajo është marrja e huave”, thotë për Portalb analisti ekonomik Zoran Vitanov.

Për vitin e ardhshëm, qeveria projektoi rritje të ekonomisë prej 4%. Gjenerator kryesor, sipas ministrit për financa, Zoran Stavreski, do të jenë investimet kapitale.

“Mjetet e përgjithshme që do të investohen për investimet kapitale janë 37,5 miliardë denarë, projekte që janë të përfshira në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe pres të japin impuls për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë, gjegjësisht të arrijmë rritje ekonomike prej 4% në vitin 2015. 21 miliardë denarë do të investohen vetëm në infrastrukturën rrugore, gjegjësisht në ndërtimin e tre autostradave: Shkup-Shtip, Kërçovë-Ohër dhe Demir Kapi – Smokvicë, si dhe rrugëve të shumta rajonale, siç është rruga që do të ndërtohet vitin e ardhshëm prej Radovishi për në Shtip, gjegjësisht Shtip – Koçanë, që do të mundësojë përmirësim të konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë”, deklaroi ministri për financa, Zoran Stavreski.

Ekonomistët vlerësojnë se investimet kapitale janë kyçe për dimensionin zhvillimor të buxhetit, por theksojnë se në fund të vitit, megjithatë, më me rëndësi është se sa do të jetë përqindja e realizimit të investimeve kapitale dhe cilat lloje të projekteve janë të përfshira në këtë zë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button