Shenjat dhe simptomat e menopauzës

Amenorea: simptomi më i dukshëm i ndërprerjes së ciklit të funksionimit të vezoreve është amenorea afatgjate. Ndalja e ciklit menstrual tregon që niveli i estrogjenit, të cilin e prodhojnë vezoret, nuk është i mjaftueshëm të lëviz përhapjen endometriale.

Simptomet vazomotorike manifestohen në forme nxehtësie, djersitjeje natën dhe palpitacioni, dhe këto paraqesin simptomet më karakteristike të klimakteriumit.

Nxehtësia është simptom periodik, dhe përshkruhet si periudhë me momente djersitjeje, sulm të nxehtit, shpesh përcjellet me të rrahura të zemrës, ndjenjë shqetësimi dhe ndonjëherë përcjellet me ftohtësi. E tërë kjo nuk zgjat më shumë se 2 – 3 minuta, por mund të përsëritet madje gjer në 30 herë gjatë ditës. Ky simptom lajmërohet tek gjysma e grave, tek të cilat ka filluar menopauza.

Çrregullimet e gjumit dhe ato psiqike
Ndryshimet e gjumit ndodhin me kalimin e viteve tek të dy gjinitë. Megjithatë në fillim të menopauzës, gratë kanë probleme të mëdha me gjumin dhe pagjumësinë, të cilat janë të lidhura me mungesën e estrogjenit endogjen. Insomnia është problem i shpeshtë tek gratë në perimenopauzë dhe postmenopauzë. Estrogjenet endogjene luajnë rol të madh në gjendjen emotive, sepse ndikojnë në aktivitetin e neurotransmiterëve qendrorë, sidomos serotoninës.

Alfa-receptorët për estrogjene (ER) mbizotërojnë në hipotalamusin ventramedial, ndërsa Beta-receptorët (ER) janë më të dendur në pjesën paraventrikulare dhe supraoptike, hipokampus. Me kalimin e moshës, në menopauzë vjen te rënia e vlerës së neurotransmiterit dhe neuromodulatorit (neurosteroidet, prostaglandinet dhe katehoestrogjenet). Njëkohësisht kemi rritje të vlerës së norepinefrinës dhe somatostatinës.

Çrregullimet më të shpeshta psiqike janë: depresioni, ankthi, humbja e koncentrimit, nervoza dhe humbja e dëshirës seksuale. Kjo u vu re se, gratë që ishin më gjatë nën terapinë supstitucionale, më rrallë vuajnë nga sëmundja Alzheimer, e cila është shkaku më i shpeshtë i demencionit. Humbja graduale e kujtesës është manifestimi i parë klinik.

Flokët dhe lëkura gjatë menopauzës
Flokët përmbajnë receptorë estrogjenë, për këtë durojnë ndryshime kur vie gjer tek rënia e nivelit të estrogjenit.

Ndryshimet në lëkurë lajmërohen rreth të dyzetave, pesëdhjetave të jetës. Me atrofinë graduale të epidermës, sidomos në pjesët të cilat janë ekspozuar në dritë, vie gjer tek plakja e dukshme e lëkurës. Kemi degjenerim të indeve kolagjene dhe elastike. Atrofia është e thatë, me kruarje dhe lehtë irritohet. Rritja e qimeve shtohet në zonën e fytyrës, ndërsa zvogëlohet në zonën pubike, aksile dhe atë të kokës.

Sistemi kardiovaskular
Sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë edhe sëmundjet e artierieve koronare dhe cerebrovaskulare, edhe më tej paraqesin problemin më të madh, madje edhe në vendet më të zhvilluara.

Këto sëmundje së bashku janë shkaktare të vdekjes, në moshën e grave mbi 50 vjeç, mbi 50 %. Është vërtetuar që estrogjenet në mënyrë të paqartë zvogëlojnë rrezikun nga ateroskleroza. Nga kjo arrijmë në përfundim që sëmundjet kardiovaskulare janë madje për 6 -7 herë më të rralla tek femrat se sa tek meshkujt e po asaj moshe. Në postmenopauzë, nga mungesa e estrogjenit, shpeshtësia e sëmundjeve kardiovaskulare rritet, sepse arterioskleroza përparon shumë shpejtë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button