USAID promovon mundësit e zhvillimit te gruas rurale ne malësinë e Tetovës

Projekti i USAID-it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla është projekt katërvjeçar i implementuar në Pollog dhe Pellagoni dhe ka për synim përshpejtimin e krijimit të vendeve të punës.

Projekti i USAD-it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla dhe Komuna e Tetovës sot në Shipkovicë, shënuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale. Kjo ngjarje promovoi mundësi punësimi për gratë rurale të Pollogut. 

Kryetarja e Tryovës, Teuta Arifi, përshëndeti gratë e zonave rurale të Pollogut me fjalimin hapës, duke vazhduar më tej me fjalën e Mary Jo Wohlers, gruaja e Ambasadorit të ShBA-së Paul Wohlers. 

“Gratë janë një pjesë e rëndësishme e procesit zhvillimor dhe mund të jenë kontribuuese të rëndësishme të pagës familjare të tyre. Kur gratë merren me biznes, punojnë në fushë ose mbledhin barishte të egra për profit, ato sjellin progres ekonomik në komunitetet e tyre”, tha Mary Jo Wohlers. 

Gratë pjesëmarrëse dëgjuan gjithashtu prezantime për mundësi punësimi nga Menderes Kuçi, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Gëzim Ajdini, pronar i qendrës grumbulluese ”Mebi Prima” , dhe përfaqësues të Projektit të USAID-it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla. 

Mundësia kryesore e punësimit që iu prezantua grave rurale të Pollogut ishte mbledhja e barishteve të egra, manaferrave dhe kërpudhave që gjenden me bollëk në malet dhe pyjet e Pollogut. Projekti i USAID-it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla e ka mbështetur këtë aktivitet duke i trajnuar mbledhësit e Pollogut dhe duke mbështetur krijimin e qendrës së re grumbulluese Mebi-Prima, në fshatin Pirok. 

Amerikanët nëpërmjet USAID-it kanë investuar më shumë se 500 milion dollarë në Maqedoni që nga viti 1993. USAID punon me njerëzit e Maqedonisë në krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, zgjerimin e edukimit integrues dhe përgatitjen e studentëve për fuqi punëtore. 

Këto nisma e përmirësojnë cilësinë e jetës dhe mbështesin tranzicionin e Maqedonisë drejt një demokracie të qëndrueshme dhe prosperuese. USAID siguron ndihmë ekonomike dhe humanitare në më shumë se 100 shtete. 

Projekti i USAID-it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla është projekt katërvjeçar i implementuar në Pollog dhe Pellagoni dhe ka për synim përshpejtimin e krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik në nivel rajonal.

Lajme të ngjashme

Back to top button