Feja, njeriu dhe kombi sipas Hasan Prishtinës

Hasan Prishtina , si politikan, kishte një baraspeshim të shkëlqyeshëm mes idealizmit dhe realizmit.Mendimet dhe veprimet e tij ishin në harmoni me njëra tjetrën. Ai ishte edhe ideolog dhe udheheqës shpirtëror I atyre të cilët qëllim të vetëm kishin çlirimin e atdheun nga okupatori. Si një njeri me një qëllim të këtillë, pozitat politike në të cilat ai arriti gjatë karrierës së tij asnjëherë nuk ishin cak I tij, por mjet për arritjen e qëllimit. Si I tillë, la gjurmë për pasuesit e tij edhe pas vdekjes së tij. Thënia “Dy duar për kokën, koka për atdheun”, përpos një grumbull fjalësh, për të ishin mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, pra ishte një doktrinë. Simbolika e kësaj thënie qëndron tek tre fjalët kryesore në fjali: duar, kokë dhe atdhe.

Duart në këtë rast, dhe jo vetëm, janë sinonim i fesë. Ato paraqesin lidhjen e njeriut me Zotin, ku lutjet, gati se në secilën fe, bëhen me ngritjen e duarve.

Thenia e Aristotelit, “Njeriu është kafshë politike”, në fakt, vërteton se , dallimi mes njeriut dhe kafshës është truri dhe mendimet, të cilët e bëjnë njeriun të veprojë i pavarur. Si rrjedhojë, “koka” tek thënia e Hasan Prishtinës paraqet vetë njeriun.

Kombi, sipas definimit filozofik, ka dy tipare kryesore: bashkësinë e njerëzve dhe vendin nga ku ata vijnë. Kjo paraqet lidhjen e ngushtë mes atdheut dhe kombit dhe në rastin konkret, Hasan Prishtina fjalën ‘’Atdhe” e paraqet si sinonim të kombit.

“Dy duar për kokën…” Dy duar (feja) për kokën ( njeriun). Me këtë fjali, Hasan Prishtina na thotë se, feja ësht krijuar për njeriun, dhe si rrjedhojë, feja është në shërbim të njeriut, dhe jo njeriu në shërbim të fesë. Si njerëz, duke pasur mundësitë e veprimit të kufizuara, me asnjë veprim nuk mund t’i ndihmojmë Zotit, por se çdo veprim i yni është për ne, dhe Zoti e ka krijuar fenë për të na udhëzuar, duke na bërë neve përfitues. Këtë e vërteton vetë Zoti në Kur’an, duke thënë: “O ju njerëz, ju keni nevojë për All-llahun e All-llahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari”.

“…koka për atdheun.” Koka (njeriu) për atdheun(kombin).Kjo pjesë e thënies, përcjell të njejtin mesazh sikurse “Njeriu nuk lind për veten e vet, por për atdheun” nga Ciceroni.Fjalia tregon se njeriu është krijuar për të qenë në shërbim të njerëzve, ose indirekt kombit.

Ideja e thënies së Hasan Prishtinës ishte se, feja është krijuar për të qenë në shërbim të njeriut dhe njeriu për të qenë në shërbim të kombit. Kjo doktrinë kishte pak ndjekës,si pasojë e shkallës e lartë të analfabetizmit dhe nivelin e ulët të vetëdijes kombëtare ndër shqiptarët. Duke pasur parasysh kohën në të cilën ai veproi, vetëm një mendje e ndritur dhe trimëri intelektuale e Hasan Prishtinës mund t’u bënte ballë atyre që si interes nacional të tyre kishin mbajtjen e shqiptarëve në injorancë dhe padije. Dhe, jo me pahir, Hasan Prishtina bënë pjesë në mesin e shumë rilindasve kombëtarë, të cilët, gjithë jetën i’a kushtuan atdheut.

(Autori është student në prag të diplomimit në Fakultetin Shkenca Politike dhe Diplomaci, FON)

Lajme të ngjashme

Back to top button