Ja si zhvillohet kontrabanda në vijën kufitare Maqedoni-Kosovë

Në bjeshkët rreth pikës kufitare të malit të fshatit Vërtomicë, në orët e natës, kryesisht nga ora 21, bëhet kontrabandë e madhe e mallrave të ndryshme, barna, cigare e artikuj tjerë. Mallrat barten me mjete të ndryshme, me traktorë, kuaj, gomerë etj.

Ekipi i RTV-21, ka qëndruar dy netë radhazi në terren ku për së afërmi i ka ndjekur aksionet kontrabanduese që transportojnë mallra ilegalisht nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas, pa i penguar askush.

Kontrabandistët fillimisht e kontrollojnë terrenin, kur shohin se është i pastër dhe nuk ka rrezik, atëherë ato japin disa sinjale, duke sinjalizuar me drita që të fillojë aksioni.

“Këtu çdo natë bëhet kontrabandë me mallra të ndryshme, duke filluar prej barnave, tekstilit, duhanit dhe sende tjera të ndaluara. Unë kam qenë njëherë kontrabandist, por tani më kanë larguar persona më të fuqishëm. Këtu barten me traktorë dhe kuaj, nga territori i Maqedonisë në territorin e Kosovës përmes kësaj rruge”, thotë një ish kontrabandist i këtij rajoni.

Ai tregon edhe për çmimin që duhet të paguhet për ata që ndihmojnë kontrabandimin.

“Kontrabandistët që vetëm transportojnë, p.sh vozitësit e traktorëve marrin nga 100 euro për një natë, që ta sjellin mallin prej Maqedonisë në Kosovë dhe anasjelltas, ndërsa transportuesit me kuaj fitojnë nga 15 euro për person, vëzhguesit të cilët e përcjellin rrugën nga 10 euro për person, ndërkaq fitimin më të madh e kanë pronarët e mallit”, thotë një ish kontrabandist.

Nga vendi i ngjarjes shihen disa degë të cilat janë vënë në rrugë, me qëllim që nëse kalon policia të kenë sinjal.

Në një hapësirë është e caktuar ku ngarkohen kuajt, por edhe traktorët e mjeteve tjera që përdoren për bartjen e mallrave për kontrabandë. Kuajt i ngarkojnë dhe i lëshojnë pa pronarë që të marrin rrugën drejt destinacionit.

“Ka shumë njerëz të cilët e vëzhgojnë terrenin dhe rrugën, por edhe me kuaj dhe vozitës të traktorëve që kur vjen malli nga Maqedonia, zbrazet, pastaj me kuaj e dërgojnë deri në territorin e Kosovës”, thotë një ish kontrabandist.

Mbyllja me sukses e aksionit e kontrabandimit përfundon duke u marrë vesh me sinjale gojore, gjegjësisht me fishkëllima.

Lajme të ngjashme

Back to top button