MUZEU I MEMORJES

Murat Isaku është krijuesi me veprat e të cilit zë fill letërsia e mirëfilltë bashkëkohore ndër shqiptarët e Maqedonisë. Për mua, pa asnjë hamendje: është doajeni i saj.

Ai la pas vetes dhjetra vepra të arrira letrare në vargje dhe në prozë, që përbëjnë një muze të gjallë kujtese ku janë palosur e sistemuar me sens filigranisti, epoka të tëra historishë të dhembshme të një cepi të tokës shqiptare.

Murati bën pjesë në rrethin e ngushtë të krijuesve më të mirë letrarë të brezit të tij, në nivel kombi. I pati të gjitha: i shkolluar, i zgjuar, i talentuar, punëtor i pashoq – klasik i vërtetë i dijes së nduarnduarshme, i denjë për çdo garë kulturore. Shquhej me pikëpamjet bashkëkohore mbi jetën dhe fenomenet shoqërore, me xhentilesën karakteristike dhe aftësinë për t’u akomoduar në çdo mes e me çdo brez. Qe nosit i lindur me dashamirësinë në gjak: askush më shumë se ai nuk u kujdes e nuk i tha fjalët më inspirative e më domethënëse për krijuesit e rinj…

I deshi njerëzit dhe vendin e tij. E deshi, gjer në dhembje, gjithçka tonën dhe gjithçka që përbën faqen e ndritshme të kësaj bote. Një pjesë të shpirtit oqean e dha në librat e shumtë që përbëjnë universin letrar muratian, pjesën tjetër ia fali medias dhe publicistikës shqiptare, që frymoi në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Brenda veprës së tij gjenden imazhet e gjalla, kodet dhe shenjat e një bote me të gjitha tiparet e saj karakteristike, që nga gjuha, adetet, zakonet, kanunet, mënyra e jetesës e gjer tek etnopsikologjia e veçantë e njeriut të Malësisë së Sharrit dhe fushëPollogut.

*

Murat Isaku ka lënë pas vetes edhe romane të rrallë, si: “Rrengu” a “Fatprerët”, që shpërfaqin të vërtetat tronditëse të nënqiellit tonë. Ato janë rrëfime prekëse mbi dhunën, pallate gjigante e të hapura ëndrrash, muze krimesh njerëzore, xheheneme danteske, galeri xhelatësh e gijotinash ku priten me pasion shtaze koka njerëzish dhe ku kastrohen me delire vampirësh gjuhët e tyre. Thjesht, fjala është për një mesjetë të cilën rrallëkush e ka portretuar më bindshëm se shkrimtari ynë.

Në romanin “Fatprerët”, ta zëmë, ngjashëm si në “Pallatin e ëndrrave të Kadaresë” dhe, hera-herës, po aq mjeshtërisht, është portretuar jeta e qelisë së burgut, shtypësit, padronët, zotrat që duan sfinga pa koka e koka pa gojë. Po shkëpusim me këtë rast një fragment, në të cilin, përmes fjalëve të një hetuesi policor, sugjerohet dalja nga tuneli i errët, shpëtimi nga rrethi vicioz, purgatori nëpër të cilin detyrimisht duhet të kalojmë nëse e duam me tamam jetën e dinjitetshme të ëndrrës rilindase: “Dy dukuri paradoksale diametralisht të kundërta gjellijnë në vetëdijen tuaj: Askush në botë si ju nuk i këndon të gjallët me aq narcizofobi, pa i verifikuar ata historia, askush si ju mandej nuk i përbalt po të njejtit njerëz për një frymë goje. Asnjë popull i mençur sot  nuk u kushton gjithfarë panagjerikësh hymënorë udhëheqësve të zakonshëm në skenën politike, duke qenë ata akoma gjallë. Mandej, si asnjë popull tjetër i fshini nga të gjitha segmentet e kujtesës. Pra, ju keni punë me vetveten, me paranojën e madhe të kokës suaj. Duhet, pora, së paku të diagnostifikohet sindromi i etnitetit tuaj. Unë betohem në tokë e në qiell se s’kam hasur popull aq të parapërgatitur për tradhëtinë e vetvetes. Pikërisht ‘patriotët’ tuaj, që hiqen si kapadainj para jush, i kam përzënë nga zyra si degjenerikë të llojit të vet, pse vinin t’i denoncojnë më të afërmit e tyre: shokët më të ngushtë, farefisin… Ju jeni një popull fatkeq në sheshtinën e errët të historisë…”

Kështu thoshte Murati Isaku ynë, njeriu që solli një copë Evrope në shkretishten e shkretuar me mendësi shkretane, siç do të thoshte miku im krijues Ahmet Selmani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button