Opozita me qëndrime të njëjta, mungon tryeza

Të hapur, transparent dhe të gatshëm të spikasin interesin e përgjithshëm mbi atë personal, kështu shprehen për Portalb krerët e partive opozitare shqiptare. Ata pajtohen mes vete me qëndrimin se udhëheqësit aktuale të BDI-së dhe PDSH-së janë e keqja e shqiptarëve. Ata kanë propozuar një bashkim të mundshëm. Tryeza është gati, ende s’ka konkretizim të retorikave.

Parimisht të hapur për bashkëpunim duke përjashtuar BDI-në dhe PDSH-në, interesi i përgjithshëm mbi personalen dhe të mbyllur për individë që kanë problem me ligjin dhe për persona, emrat e të cilëve lakohen nëpër afera korruptive.

Vesel Memedi, kreu i RDK-së ka vërtetuar për Portalb se nuk lëvizin nga qëndrimi i publikuar ditë më parë në kumtesën e tyre sa i përket temës për bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një front opozitar, për rrëzimin e BDI-së.

“Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se ftesa publike për themelimin e një këshilli mbipartiak me të vetmin qëllim “largimin e BDI-së nga skena politike” është po aq e dëmshme sa edhe njëmendësia e BDI-së se “mjaftojnë vetëm dy parti politike shqiptare.” Rilindja Demokratike Kombëtare nuk ka dalë në skenë të largoj askënd nga skena politike, por të japi një kontribut të mirëfilltë ndryshe, në avancimin e çështjes kombëtare. Për shkak të këtij qëllimi madhorë në drejtim të çështjes kombëtare, RDK tanimë ka bërë një koalicion me LR-PDSH i quajtur “Aleanca për Shqiptarët,” dhe dera është e hapur për çdo organizim politik dhe jopolitik që dëshiron t’i bashkangjitet kësaj aleance për të dhënë kontribut të mirëfilltë në avancimin e çështjes kombëtare”, thuhej në kumtesën e tyre.

Bilall Kasami nga Lëvizja Besa për Portalb pohon se ashtu siç kanë deklaruar edhe në konferencën e fundit për shtyp, çdokush- jashtë këtij lidershipi të BDI-së dhe PDSH-së janë të mirëseardhur në platformën për bashkimin e një fronti opozitar.

“Ne jemi vetëm iniciues të platformës, por çdokush që do të jetë aty do të ketë qasje të barabartë. Kjo nuk ka të bëje me Besën, kjo është platformë për bashkim. Megjithatë, ata që kanë probleme dhe duhet të përgjigjen para ligjit nuk kanë çfarë të kërkojnë këtu” tha për Portalb Kasami.

Të njëjtin mendim e ndajnë edhe nga Partia për Prosperitet Demokratik. “Qëndrimi jonë është se forcat opozitare duhet të bashkohen, gjithqysh. Nuk ka hapa konkrete, ka vetëm iniciativa. Akoma nuk gjendemi në një tavolinë, është me rëndësi të ulemi me një tavolinë, pavarësisht qëndrimeve që mund t’i kemi në vetvete, për interes më të gjërë duhet të ulemi bashkë. Ne të gjithë jemi të deklaruar për bashkëpunim, që përjashton BDI-në edhe PDSH-në”, tha Faton Aliti, zëdhënës i PPD-së.

Deri më tani koalicion i vetëm i zyrtarizuar mbetet “Aleanca për shqiptarët”.

Ziadin Sela thotë se “Aleanca për shqiptarët” është e hapur për bashkëpunim, qoftë forma individuale, por edhe si struktura të organizuara politike të cilët duhet t’i përkrahin ato principe që i ka vendosur aleanca.

Ditë më parë Zylfi Adili, deputeti nga radhët e BDI-së, konfirmoi hapjen e një subjekti politik ku do të përfshihen persona pa hipoteka, të pastër. Dhe se, synim kryesor i subjektit të ri politik është hapja e një fronti të përbashkët opozitar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button