Badenteri ia hap dyert konsensualitetit

Historia na mëson se kompromiset e mëdha janë vepër e politikanëve të mëdhenj. Jo pak shembuj kemi në praktikë kur deri te kompromisi është arritur edhe atëherë kur i njëjti nuk ka përfaqësuar në tërësi interesat thelbësore të palëve, apo më mirë të themi edhe atëherë kur me të njëjtin janë dëmtuar më shumë interesat e një partie apo grupimi të caktuar, por se i njëjti është arritur dhe nuk është sabotuar në materializim vetëm e vetëm që të ecë përpara shteti, vetëm e vetëm që të ecë përpara shoqëria. Zaten burrështetasit duhet të përballen me këtë fat.

Te ne në Maqedoni, situata ndryshon. Ne jo vetëm që nuk jemi të gatshëm për të arritur kompromise/marrëveshje të mëdha, por edhe kur i arrijmë ato, llogarisim se si t’i minojmë, apo edhe t’i shpallim si të vdekura, pavarësisht se kush qëndron si garantues i këtyre marrëveshjeve. Një rast i tillë, nëse ju kujtohet, ndodhi me PDSH-në kur ishte në opozitë PDSH-ja dhe e shpalli të vdekur Marrëveshjen e Ohrit, ndryshe nga koha kur ishte në pushtet kur theksonte që e ka prioritet mbi prioritetet. Edhe me Përzhinon, dy-tre ditë pas arritjes së marrëveshjes që synon Maqedoninë ta nxjerr nga kriza politike, ato dolën me prognozën se kjo marrëveshje do të dështoj, por kur u zgjodh prokurori special ato menjëherë shpejtuan aty për të kërkuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Çdo herë kur PDSH flet për zgjedhje, qytetarëve ju kujtohet kasaphana në zgjedhjet parlamentare më vitit 2008. Nëse edhe për zgjedhje kontribuojnë po aq sa kanë dhënë kontribut për prokurorin, shqiptarët i kanë punët mirë sepse PDSH-ja s’ka bë as një gjë të vetme në këto negociata dhe rrjedhimisht nuk bën dot asnjë dëm.

Marrëveshja e Ohrit, të cilën PDSH-ja dhe partitë e vogla shqiptare e shpallën të vdekur, jo vetëm që ndryshoi sistemin juridiko-politik të Maqedonisë, jo vetëm që përmirësoi dukshëm pozitën e shqiptarëve, por fryma e saj gjithnjë e më shumë është prezentë kudo.

Së fundmi kjo u dëshmua te kompromisi i arritur nga katër partitë më të mëdha parlamentare për miratimin e një ligji të ri të veçantë për prokuror publik të posaçëm, me ç’rast u parapa që me shumicë të dyfishtë (me të a.q. shumicë të Badenterit) të miratohet ligji, të zgjedhet Prokurori Publik i Posaçëm, duke përfshirë këtë shumicë edhe në zgjedhjen e prokurorëve të tjerë. Po aq e rëndësishme është se me këtë kompromis garantohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, si një nga parimet bazë të instaluara me Marrëveshjen e Ohrit, në të gjitha nivelet prokuroriale, hetuese, përfshirë këtu edhe personelin administrativ, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët profesional.

Zgjidhja e mësipërme e arritur pas bisedimeve të vështira disa javore, në të cilën është respektuar vullneti politik i të dy komuniteteve më të mëdha në vend dhe parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i garanton institucionit të Prokurorit Publik të posaçëm legjitimitet të plotë dhe bazë të qëndrueshme konsensuale, kryekëput në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ky veprim hap dyert e konsensualitetit sepse Badenteri në këtë rast tejkaloi kufizimet kushtetuese dhe kjo zgjidhje duhet përshëndetur. Madje, shembulli i tillë i veprimit konsensual dhe respektimit të vullnetit të dy komuniteteve më të mëdha duhet edhe de jure të parashihet tek zgjedhja e Qeverisë dhe miratimi i buxhetit, megjithëse tashmë de facto ikje nga kjo nuk ka. Kur jemi te formimi i Qeverisë, konsideroj se zgjidhja më e mirë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit do të ishte norma kushtetuese e cila do të kërkonte nga partitë politike fituese në të dyja kampet që ata dhe vetëm ata të kenë ekskluzivitetin për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, e nëse e njëjta nuk do të arrihej vendi përsëri do të shkonte në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Alternativa e dytë, më pak e pëlqyeshme për mua krahasuar me të parën, ka të bëj me parashikimin e votimit të dyfishtë në Kuvend me rastin e zgjedhjes së Qeverisë. Kërkesa për formimin e qeverisë nga partitë politike fituese në të dyja blloqet arsyetohet duke u thirrur në realitetin e organizimit politik në blloqe etnike në Republikën e Maqedonisë dhe në synimin për të mos humbur relevanca e votës shqiptare, si komuniteti i dytë më i rëndësishëm në shoqërinë shumetnike të Maqedonisë.

Ç’është e vërteta, faktori politik shqiptar gjithmonë ka insistuar për të gjetur konsensus lidhur me çështje të rëndësishme për vendin. Nëse ju kujtohet, në prag të zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2014 nga blloku politik maqedonas u kërkua që të përkrahet nisma për ndërtim konsensual të këtij institucioni, por kjo nismë hasi në mosgatishmëri nga partitë maqedonase të cilat dolën me kandidatë të tyre. Si rrjedhojë, sot kemi President pa legjitimitet të dyfishtë, roli i të cilit, siç edhe po e shohim, është krejtësisht irelevant edhe në situatat e jashtëzakonshme me të cilat po përballemi.

Për t’i mos i përsëritur gabimet, konsideroj se në frymën e Marrëveshjes së Ohrit duhet të arrijmë konsensus edhe për shumë çështje të tjera, siç është çështja e emrit, gjuha zyrtare shqipe dhe marrëdhëniet e mira ndër fqinjësorë, me theks të veçantë marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Çdo veprim ndryshe, do të çonte vendin para situatave me epilog të padëshirueshëm për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Prandaj, është koha e fundit për të demonstruar konsensualitet, qytetari dhe gatishmëri për t’i konsideruar si aset dallimet etnike, kulturore dhe politike. Vetëm së bashku, me gjuhë të integrimit dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit mund të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme politike, juridike dhe institucionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button