BE: Dhuna është e papranueshme

Gjuajtja me vezë nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës në drejtim të kryeministrit, Isa Mustafa, derisa ai kishte nisur raportimin e tij për marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, ka bërë që seanca e Kuvendit të ndërpritet dhe të shtyhet për disa herë. Por, situata e krijuar dje në Kuvendin e Kosovës ka marrë nota të ulëta nga Bashkimi Evropian, Zyra e BE-së në Prishtinë dhe ambasadori i SHBA-së dhe i Britanisë së Madhe. Të gjithë e kanë quajtur të papranueshme dhunën e shkaktuar në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ajo nuk është mënyra e duhur për t’i zgjidhur situatat e rëndësishme për vendin.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës nuk është mënyra se si shoqëritë demokratike funksionojnë.

“Çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dje nuk është mënyra se si shoqëritë demokratike i diskutojnë çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Zhbogar për “Zërin”. Sipas tij, kjo është një mënyrë e ulët e cila nuk lavdëron institucionet e shtetit. “Kjo mënyrë vetëm sa tregon mosrespektim të institucioneve”, ka përfunduar reagimin e tij Zhbogar.

Lajme të ngjashme

Back to top button