FRAGMENTE NGA VENDI KU NDODH ASGJËJA (I)

Këtu ndodh shumëçka e nuk ndodh asgjë dhe koha harxhohet për kotësira.

Këtu kotas kotemi kulmeve të kotësisë dhe shpresëhumbur shtegtojmë drejt askundit.

Këtu prijësit na drejtojnë drejt kështjellës së lavdisë, e cila ende nuk është ndërtuar.

Këtu mburremi me gjërat që do të bëhen dhe maketet promovohen si projekte të së ardhmes.

Këtu punëve me afat u del afati, kurse afatet janë të pa afatizuar.

Këtu punët e përditshme nuk kryhen kurrë dhe punët e kota paguhen disa herë.

Këtu me lojë fjalësh bëhet zhurmë dhe askush s’e dëgjon Nestorin mendjeshumë.

Këtu shet mend ai që s’ka mendim e mendimtarin e mbajnë në karantinë.

Këtu punon mjeshtri e urdhëron çiraku dhe mësuesi lëpin këpucët e princave.

Këtu shtëpinë e ndërtojnë prej kulmit dhe ja vënë themelet në rërë.

Këtu gjallojnë qenie të panatyrshme, që shtirjen e kanë mënyrë jetese.

Këtu ligjëron për vlera koka e antivlerës, i shet marrëzitë si mendime të Senekës.

Këtu ka inflacion premtimesh e dredhish origjinale dhe marrëzitë e oratorëve shiten si thënie të urta.

Këtu marrëzia sjell fitim dhe me krizë mendimi pretendohet përparimi.

Këtu lulëzojnë si thera ide të vjetra dhe thahen idetë e reja.

Këtu të gjallin e poshtërojnë, kurse të vdekurin bëjnë kinse e nderojnë.

Këtu “të fuqishmit” i thonë “i madh” dhe të Madhin s’e kujtojnë as pas vdekjes.

Këtu ta vjedhin shpresën, jetën, fatin, ta vjedhin kohën, e jo më sahatin.

Këtu e vjedhin të djeshmen, të sotmen, ardhmërinë, vjedhin fëmijëri, rini e pleqëri.

Këtu e vjedhin tokën, ujin, ajrin dhe ndotjes dikush ja sheh hairin.

Këtu shajnë e flasin pa emër dhe as Paridi shigjetues djallin s’e godet në thembër.

Këtu për probleme të moçme lodhen ekranet, me maska të reja shfaqen fytyrat e vjetra.

Këtu historia shkruhet pa ndodhur, kurse lufta përfundon pa filluar.

Këtu e kaluara shitet me çmim të shtrenjtë dhe jetohet me lavdinë e së kaluarës.

Këtu gjeneralët bëhen të lavdishëm në kohë paqeje, kurse heronjtë quhen banditë.

Këtu maskarenjtë marrin pensione për merita atdhetare.

Këtu pushtuesit i këndohen himne dhe çlirimtari përdhoset.

Këtu trofetë e luftës i paguajmë në kohën e paqes dhe koha e paqes torturohet nga lavdet e luftës.

Këtu flasin për liri e trimëri shërbëtoret e robërisë dhe humbjet kremtohen si fitore.

Këtu fitoret e shpirtit nuk shënohen në fletore.

Këtu çdo triumf i frymës merret për dobësi, e çdo triumf i shpatës kremtohet me britma e krenari.

Këtu njerëzit e frikësuar kanë frikë të jenë të lirë dhe nuk bëzajnë kur ua cenon privatësinë.

Këtu atdheu ka përmasa oborri dhe liria është mashtrim.

Këtu përgjegjësia kërkohet në veten e tretë shumës.

Këtu i quajmë zotëri shërbëtorët, që duan historia t’i përmend si triumfatorë.

Këtu rregullohen çështjet personale me deklarata banale dhe hyhet në politike për ngritje profesionale.

Këtu me të njëjtën rrenë të rrejnë shumë herë dhe shumëçka fitohet me një premtim.

Këtu sharjet e fyerjet shpejt kthehen në lëvdata, se njerëzit besojnë në parulla e pankarta.

Këtu kemi “atdhetarë” që heshtin kur u fyhet kombi, besojnë se të gjithë kanë tru zombi.

Këtu shkretëtira quhet oazë dhe oaza është fantazmagorike.

Këtu ngjitemi në skenë kur shfaqja ka përfunduar.

Këtu, si përherë, ndodh paradoksi…

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button