Kush e pengon hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc? (FOTO+VIDEO)

Tashmë prej kohësh ka mbaruar asfaltimi i rrugës, por ende nuk është hapur vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc. Banorët e fshatit Llojan shprehen për Portalb se hapja e këtij vendkalimi është shumë i nevojshëm. Me këtë rast, Portalb kërkoi sqarim nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të të gjitha niveleve. Sipas deputetes, Kaltrina Azizi, hapjen e kufirit po e pengon kriza politike dhe preukupimi i shtetit me refugjatët.

Vija ndarëse, Llojan-Miratoc
Vija ndarëse, Llojan-Miratoc

“Kemi shumë nevojë që të hapet vendkalimi kufitar. Shumica, për të mos thënë të gjithë kemi të afërt andej. Ja psh: për të vizituar dajën në fshatin Norçë, që është vetëm 5km larg nga Llojani, më duhet të kaloj rreth 30 km. Kurse gjatë verës, duhet të presim në kufirin në Tabanoc për 2-3 orë të tëra.”- deklaroi Rexhep Salihu, banor i fshatit Llojan.

Llojanasja, Shadije Zimeri tha: “Kam hallën e babait në Rehovicë, ndërsa të gjithë kusherinjtë kanë të paktën nga një miqësi në Preshevë. Por për t’i vizituar duhet të sillemi e shpesh vonohemi në kufirin në Tabanoc. Përndryshe Miratoca është aq afër sa që vetëm po të dalim nëpër fusha duket e po të hapet ky vendkalim mund të shkojmë edhe në këmbë.”

Rëndësinë e madhe që ka ekzistimi i këtij vendkalimi e komentoi edhe Sadulla Duraku, kryetari i Komunës së Likovës duke thënë: “Fshati Llojan dhe fshati Miratoc janë 1,5km larg nga njëri-tjetri, çka d.m.th. janë ballë për ballë. Banorët e dy fshatrave kanë lidhje farefisnore, janë nip e dajë, por në mungesë të vendkalimit duhet të sillen rrotull, të kalojnë rreth 20 km.” Duraku deklaroi për Portalb se në kompetencë të komunës ishte ndërtimi i rrugës dhe kjo është realizuar. “Komuna e ka kryer detyrën që është dashur të kryhet, e ka realizuar projektin për rrugën. Ka qenë rrugë lokale, kemi konkurruar në Bankën Europiane, na është ndarë kredi. Është realizuar puna.” Ndërsa hapja e kufirit siç thekson Duraku “Është kompetencë e qeverisë”. Ai bën të ditur se komuna e Likovës ka bërë kërkesën e duhur.

Rruga,Llojan
Rruga,Llojan

Nga 3 deputetët e zonës, të partisë në pushtet, për këtë çështje pranoi të flasë vetëm Kaltrina Azizi. E pyetur a është i nevojshëm të hapet vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc, ajo tha: “Patjetër që po…. shkaku i rëndësisë që ka për rajonin në përgjithësi e për banorët e komunës tonë në veçanti si dhe si një e mirë e përgjithshme të cilën mundë ta shfrytëzojnë në masë të madhe edhe studentët të cilët vijnë nga Presheva , Medvegja e Bujanoci për të studjuar në RM. Në respekt të këtij vullneti të shprehur nga qytetarëve të lartëpërmendur ka qenë e ndërmarur iniciativa në rrugë institucionale për hapjen e këtij vendkalimi kufitarë.” Deputetja sqaroi arsyet që po e pengojnë hapjen e këtij vendkalimi kufitar: “Po tashmë është një fakt i njohur që asfalltimi ka mbaruar , si dhe përgatitja teknike dhe ligjore mbi çështjen. Ajo që po e prolongon ndoshta në masë të madhe hapjen e këtij vendkalimi kufitarë janë rethanat politike në vend të cilat u krijuan si një krizë e thellë dhe reflektuese edhe mbi projektet e tilla. Për të mos lënë anash këtu edhe preukupumin më të madh që ka vendi por edhe i tërë Ballkani me emigrantët. Pra këto dy çështje po ndikojnë në prolongimin siç e thash më herët të hapjes së vendkalimit por kjo nuk do të thotë që në një kohë të afërt më të përshtatshme….do të vendoset në funksion të qytetarëve ky vendkalim.”

Rruga,Miratoc
Rruga,Miratoc

 

Sipas saj, BDI, si parti bashkëqeverisëse ka ndërmarur të gjitha masat e nevojshme dhe adekuatë, në funksion të përshpejtimit të kësaj çështje si dhe të gjitha çështjeve tjera në të mirë të qytetarëve shqiptarë. “Kohën e kemi dëshmitar të përbetuar të qëllimit dhe angazhimit tonë. Andaj shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt qytetarët do të mundë ta gëzojnë të drejtën e kalimit në relacionet Llojan-Miratoc.”

 

Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandër Gjeorgjievski nuk u prononcua, vetëm sugjeroi që përgjigjet t’i kërkojmë nga ministria kompetente. Mirëpo zëvendës-ministri shqiptar në MPB refuzoi t’i përgjigjet Pyetjes “Pse ende nuk hapet vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc?”, ndërsa zëdhënësi Ivo Kotevski në mungesë të informatave deklaroi se përgjigje për çështjen në fjalë mund të marrim nga dita e hënë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button