T’i përkrahim

Vite me radhë e përkrahëm dhe e lëvduam të keqen. Këtu nuk mund të mungojë dënimi nga Zoti. Gjatë kohë na dënoi neve, kurse tani radhën e kanë ata që prodhonin dhe lëvdonin të keqen. Është mjerim të lëvdoni mjerimin e të tjerëve. Ishte kohë e fundit që të na ndahen rrugët me djallin. Ndarja në BDI është imperative. Njerëzit humbën aq shumë kohë duke menduar se fatin e lumturinë do ta gjejnë mu në mes të ferrit. Pushtetarët e BDI-së akoma vazhdojnë të lëvdohen me rezultatet që s’duken. Madje na akuzojnë se pakënaqësia del nga defekti ynë që kemi brenda në kokë, pasi nuk disponojmë me sensor adekuat që do t’i regjistronte të gjitha këto të arritura. Kurse këta rezultate kanë vetëm një emërues të përbashkët – kaos, kolaps dhe asgjësim. Tani e kuptojmë se “princesha e bukur” paska qenë vetëm një shtrigë e shëmtuar.

Vite me radhë lejuam, që të marrët e të korruptuarit të na i zënë të gjitha rrugët, të na i bllokojnë të gjitha urat, parqet, shtëpitë e jetën. Lejuam që të hyjnë në institucione, në gjykata, në mediume, në xhepat dhe shpirtrat tanë. Lejuam të na e ndajnë drejtësinë ata që as vet se meritonin të jenë në liri. Lejuam të na shesin mend ata që as vet s’i kishin. Nuk u lëshohen të gjitha rrugët të marrëve, pasi pastaj s’kemi ka kalojmë.

Por, gjithçkait i vjen fundi. Të huajit shumë u patën frikësuar se këso mega-krimi do ta infektojë gjithë rajonin dhe situata do të përfundojë me konflikt. Prej këtu edhe projekti për ndryshime radikale. Tani çdokush nga pushteti do të duhet për veprimet e veta të përgjigjet para prokurorit special, pasi ai i zakonshmi vite me radhë ishte jofunksional. Ai ishte vetëm një funksion. Të përkujtojmë se romanezja Laura Kovesh në burgun qendror të Bukureshtit pat krijuar kuorum ministror në krye me tani më eks-kryeministrin.

Tani edhe kreun tonë e ka përfshirë paniku. Vite ma radhë hapte varre për të pafajshmit, e tani si duket edhe vet do bie në ta. Grabitën pa masë duke menduar se përjetë do të jenë imun ndaj drejtësisë, por ja që ajo troket në derë. Tani nga paratë e zeza nuk do të mund të shohin as dritë të bardhë. Aq shumë vraponin pas parave e tani të ikin nga to. Pasuria e tyre tani më s’ka vlerë, s’ka as fuqi, s’ka nderë. Ajo është shndërruar në tmerr. Kur ajo humb pushtetin, atëherë si e pashpirt ndjek patronin, pasi është rritur mbi gërmadhat e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Vite me radhë disa nga vuajtjet e njerëzve ndërtuan kulla të zeza finasiare. Tani s’u del hesapi. Mbledhin, pjesëtojnë, shumëzojnë e minusojnë, por rezultati – “zero negativ”. Dikur numëronin paratë, tani numërojnë ditët. Dikur pushonin në jahte luksoze, kurse tani lypin gomë-shpëtimin nga mbytja. Brenda në partitë sikur shumëçka vlon. Janë duke u vrarë për atë se kush i pari do të jetë dëshmitar i mbrojtur. Pra, tmerr është kur të ndjek vuajtja, padrejtësia, mjerimi apo djersa e huaj. Atëherë gjithçka rreth jush shndërrohet në ferr.

Sikur të kishin mikron ndërgjegje që moti këta udhëheqës do të ishin përshëndetur me politikën. Tani shkatërrojnë edhe partitë e veta, të pavetëdijshëm se aq më shumë keqësojnë pozitën e vet. Por ata asnjëherë s’kanë pasur kapacitet ta lexojnë realitetin. Aty ku janë, arritën jo me dije por nga gjaku i shumë të rinjve të cilët më shumë vlerësuan idealet se sa jetën e tyre.

Tani duhet të krijohet një bllok shpëtimi, ku s’duhet të jenë ata që kurdoherë nga e kaluara kanë shijuar kriminalitetin, e tani shiten si idealistë e profesionistë. Nuk qëndron konstatimi se këta janë pjesë e tyre, e as se edhe këta do të bëhen si ata. Shumë vetë nga fraksioni kanë qëndruar ndershëm edhe pse kanë mundur ndryshe. Vite me radhë kanë lut largimin e pjesës së korruptuar. Nuk kanë dashur të jenë prishës. Ata mirë e kanë ditur se lumturia ekziston vetëm si e përbashkët, vetëm si solidare.

Duhet të dimë se pjesa e mbetur e BDI-së do të vazhdojë ta ndihmojë Gruevskin në obstruimin e zgjedhjeve, në pengimin e prokurorit special, në bllokimin e ministrit të brendshëm dhe në mjegullimin e shërbimi publik radiodifuziv. Si masë qytetare duhet të protestojmë, qoftë edhe kundër lajthitjeve tona se hajdutët më të mëdhenj mund të jenë patriotë të mëdhenj. Por, nuk duhet të vajtojmë aq shumë përse të korrat ishin kaq të dobëta, por të përkujtojmë se çfarë fare kishim hedhur. Humbëm shumë vite me këso marionetash. Tani duhet një mijë herë të mendojmë përpara se të votojmë. A do ta shesim sërish ardhmërinë tonë dhe të pasardhësve tanë për 20 euro, për një pije me sandviç apo për mbushje telefoni. Kemi nevojë për udhëheqës pa hipoteka. Udhëheqësi përgjegjës edhe nga gurët që i hudhin të tjerët ndaj tij di ta ndërtojë një urrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button