Dita botërore e çrregullimit mendor, rreth 450 mln njerëz kanë probleme mendore!

Çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin 25 % të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. “Pra, 1 në çdo 4 persona do të preket gjatë jetës së tij nga një çrregullim mendor.

Rreth 450 milion njerëz vuajnë aktualisht në botë nga probleme të shëndetit mendor”, thekson Organizata Botërore e Shëndetësisë në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. 

Sipas OBSH-së, “shëndeti mendor është një gjendje mirëqenie në të cilën individi realizon aftësitë e tij, mund të përballojë streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe frutdhënëse, dhe është në gjendje të kontribuojë në komunitetin e tij”. 

Katër nga dhjetë shkaqet kryesore të paaftësisë në botë janë pikërisht çrregullimet neuropsikiatrike, theksojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

Çrregullimet e ankthit dhe të humorit përbëjnë çrregullimet më të shpeshta mendore në botë. Sipas OBSH, është vlerësuar se depresioni prek aktualisht 350 milionë njerëz në botë. 

Ndërkohë, 1 në çdo 10 njerëz vuajnë nga depresioni madhor. Në vitin 2004, depresioni ishte shkaktari i tretë kryesor i barrës globale të sëmundjeve në botë dhe në vitin 2030 pritet që ai të jetë kontribuesi kryesor i barrës së sëmundjeve. 

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë të shumtë, duke filluar nga ato gjenetikë, fiziologjikë, socialë, emocionalë dhe ekonomikë. Kushtet e jetesës, problemet familjare, kushtet e punës, mungesa e shoqërisë dhe kohezionit social, stresi, mbingarkesa, etj ndikojnë shëndetin tonë mendor. “Për këtë arsye politikat dhe aktivitetet promovuese në nivel komunitar, lokal dhe nacional janë shumë të rëndësishme në promovimin e shëndetit mendor”, thekson ISHP. 

“Në nivel individual secili prej nesh duhet të kujdeset për shëndetin e tij mendor duke zhvilluar një stil të shëndetshëm jetese. Kështu, ushqyerja e shëndetshme, ushtrimi i rregullt fizik, përkujdesja për të mos abuzuar me substancat, mbajtja e kontakteve shoqërore, përfshirja në aktivitete që na zbavisin, shprehja dhe diskutimi i problemeve dhe të kërkuarit ndihmë atëherë kur kemi nevojë janë sjellje që promovojnë shëndetin tonë mendor dhe parandalojnë shfaqjen e problemeve”, theksojnë specialistët e ISHP. 

Pjesa më e madhe e sëmundjeve mendore janë sot mjaft mirë të trajtueshme. Është përllogaritur se nëse ofrohet ndihma profesionale e përshtatshme trajtohen në mënyrë të suksesshme 60% e skizofrenive, 65% e depresioneve madhore dhe 80% e depresioneve bipolare. Nga gjysma deri në dy të tretat e njerëzve me skizofreni arrijnë një përmirësim të konsiderueshëm ose shërim përtej 20 – 25 viteve. 

(balkanweb)

Lajme të ngjashme

Back to top button