Duro: Nëse e duam titullin, duhet respektuar kundërshtarët

Skuadra e Shkëndijës pas shtatë javëve me durim ka pritur shansin e saj për të rimarr kreun e tebalës, e kjo ndodhi pas fitores ndaj një konkurrenti siç është Rabotniçki dhe nga ana tjetër Vardari është ndalur në barazim pa gola nga Renova.

Pas ndeshjes ka folur trajneri Shpëtim Duro, i cili nuk ka fshehur gëzimin për marrjen e kreut dhe ka bërë të ditur se skuadra e tij nga ndeshja në ndeshje po bën lojë të mirë.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme sepse luanim ndaj një skuadre që ka bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë në periudhën e verës. Kishim përballë një ekip të konsoliduar dhe kjo që arritëm ishte një fitore shumë e bukur e jona dhe plotësisht e merituar. Ka qenë një lojë shumë e mirë e skuadrës sonë me përjashtim të dy momenteve të pësimit të golave. Kemi qenë superiorë në pjesën e parë por akoma më shumë në pjesën e dytë. T’i shënosh katër gola Rabotniçkit nuk është asnjëherë e lehtë”.

Gjithsesi sipas trajnerit 55-vjeçar skuadra e tij duhet të qëndrojë me këmbë në tokë pavarësisht momentit pozitiv që kalon në këtë fillim sezoni. Duro nënvizon se në garën për titullin kampion në Maqedoni do të vendosin shumë sfidat përballë kundërshtarëve që pozicionohen në pjesën e poshtme të tabelës së klasifikimit.

“Ne kemi stabilitet, pasi në radhë të parë kemi një skuadër të mirë. Në të gjitha ndeshjet kemi luajtur mirë, e kam thënë edhe herë tjetër dhe e përsëris që humbja përballë Vardarit ka qenë aksidentale, nuk i përgjigjej nivelit të lojës që zhvilluam ne. Kampionati është i gjatë prandaj duhet të respektojmë të gjithë kundërshtarët, siç edhe e keni parë skuadra të dorës dytë po marrin pikë ndaj Rabotniçkit apo edhe Vardarit. Duhet të jemi të përqendruar sepse nëse duam të fitojmë kampionatin duhet të vlerësojmë dhe respektojmë çdo kundërshtar”.

Sfidën e radhës në kampionatin e Maqedonisë, Shkëndija do ta ketë ndaj Sileksit të dielën e ardhshme./ Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button