Turqi, në prag të Kurban Bajramit trajnohen ekipet për kapjen e kafshëve të ikura

Muslimanët anembanë botës me padurim presin Kurban-Bajramin, si dhe bëhen gati për të therur kurbanin, ndërkohë që për të parandaluar aksidentet në raste kur ndonjë kafshë ja del të ikë, në disa qytete të Turqisë kanë filluar përgatitjet fizike dhe taktike të ekipeve për kapjen e kurbanit të ikur, raporton Anadolu Agency (AA).

Reporterët kanë marrë pjesë në një seancë stërvitore në Erzincan, autoritetet e të cilit qytet edhe këtë vit kanë organizuar stërvitjet për disa djem të guximshëm të cilët gjatë Bajramit do të kapin demët dhe deshët të cilët ikin nga pronari ose thertorja.

Ekipi punon në përgatitjen fizike të pjesëtarëve të tij, por edhe në aftësimin e përdorimit të pistoletës për ndalimin e kafshëve, si dhe për kapjen e tyre me litar. Risia e këtij viti janë skuadrat me kalë dhe me makinat ATV me katër rrota, të cilët do të kapin kafshët në vendet në të cilat qasja është e vështirë.

Njëri nga zyrtarët e pushtetit lokal, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun, Celil Atilla Uymaz, tha për AA se stërvitja do të zgjasë deri në Bajram.

“Detyra jonë është të kapim kafshët e ikura para se të shkaktojë ndonjë dëm. Ky është një ekip me përvojë i cili pas vetes ka sukses”, tha kapiteni i ekipit Ilhami Kurtalan.

Vlen të përmendet se gjatë festës së Bajramit në vendet muslimane, shpesh herë ndodhin fatkeqësi nga kafshët të ikura. Janë të shpeshta pamjet kur demat e trembur të cilët vrapojnë nëpër rrugë, tregjet e qytetit, qendrat tregtare dhe nëpër aeroportet e Turqisë, dhe jo rrallëherë ka ndodhur të ketë njerëz dhe kafshë të lënduar gjatë këtyre incidenteve. Detyra e këtij ekipi është të parandalojë incidente të tilla.

Lajme të ngjashme

Back to top button