Ministria e Financave të Shqipërisë: Rritet numri i bizneseve të regjistruara

Pas nisjes së operacionit kombëtar kundër informalitetit në fushën e biznesit, Ministria e Financave e Shqipërisë ka bërë të ditur se është rritur numri i subjekteve të regjistruara dhe është trefishuar deklarimi online në sistemin e tatimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar për mediat nga kjo ministri thuhet se me masat e marra nga autoritetet publike, është arritur të ndërgjegjësohet pjesa më e madhe e sipërmarrësve që kishin neglizhuar për një kohë të gjatë këtë detyrim.

Sipas të dhënave që disponon ministria, në muajin korrik 2015 janë regjistruar 831 (ose 70.9 përqind) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 1,151 (135.1 përqind) më shumë sesa viti 2013.

Muaji gusht ka rritur ritmin e regjistrimeve, ku janë regjistruar 4,221 (ose 569.6 përqind)  biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 4,371 (739.6 përqind) më shumë sesa viti 2013.

Sipas Ministrisë së Financave e njëjta situatë ndërgjegjësimi shënohet edhe gjatë gjysmës së parë të muajit shtator të këtij viti. “Ritmet e regjistrimeve kanë kapur një tjetër stad me prezantimin publik të operacionit kundër informalitetit. Kështu deri me datën 18 shtator, janë regjistruar 11,055 (ose 826.9 përqind) biznese më shumë sesa shtatorin e plotë të vitit 2014 dhe 11,531 (1339.3 përqind) më shumë sesa viti 2013.

Por ajo që konsiderohet e rëndësishme nga ky institucion në gjithë punën e bërë për të ndërgjegjësuar subjektet që kanë detyrim ligjor regjistrimin dhe pajisjen me kasë fiskale, është rezultati në xhiron fiskale që deklarojnë subjektet.

“Për periudhën 1 korrik-16 shtator 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, është gati 3-fishuar numri i pajisjeve të reja fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve. Është rritur me rreth 26 milionë (+57 përqind) numri i kuponëve tatimorë të lëshuar prej pajisjeve fiskale, ndërkohë që është shtuar me rreth 33 miliardë lekë (40.4 përqind ) sasia e xhiros së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga pajisjet fiskale”- thuhet në njoftimin zyrtar të MInistrisë së Financave të Shqipërisë.

Gjatë periudhës 7-18 shator 2015, grupet e përbashkëta kanë ushtruar 36,372 kontrolle tek subjektet dhe kanë konstatuar shkelje tek rreth 11përqind e tyre. Shkeljet më të mëdha konsistojnë në mospasjen e pajisjes fiskale dhe në mospasjen e faturave për mallin e inventarizuar. Ndërkohë punonjës të pa deklaruar janë konstatuar në 574 raste.

Lajme të ngjashme

Back to top button