Analizë: Me 3.200 euro PBB për kryebanori, Maqedonia në mesin e vendeve më të varfëra!

Paqartësia që e solli kriza politike është duke e marrë tatimin e saj në ekonomi. Matjet e reja statistikore treguan se rritja ekonomike në tremujorin e dytë është 2,6 përqind, që paraqet rënie në krahasim me tremujorin e parë. Ajo që është alarmante, sipas ekonomistëve, janë të dhënat për rënien e investimeve, gjegjësisht zvogëlimin e investimeve bruto. Prognozat e analistëve nuk paralajmërojnë optimizëm, njofton Portalb.mk në analizën ekonomike javore.

Përqindje pozitive të rritjes ekonomike – standard i ulët …

Zvogëlimi i investimeve bruto në tremujorin e dytë për 7,6 për qind, së bashku me eksportin dhe importin e zvogëluar, tregojnë se ekonomia po dobësohet dhe se nuk mund t’i japë rezultatet e pritura, vlerësojnë ekonomistët. Investimet e zvogëluara, të cilat tashmë i regjistroi Banka Popullore, tregojnë se investitorët janë duke u përmbajtur nga vendimet për investime, i shtyjnë ose i ndërpresin plotësisht ato, thonë për Portalb, ekonomistët.

“Përqindja e përgjithshme prej 2,6%, të cilën e publikoi Enti për statistika, në parim është nën pritjet dhe nëse e shohim pak më detajisht strukturën e rritjes në anën e shpenzimeve do të vërejmë dy elemente të rëndësishme, e ato janë zvogëlimi i investimeve bruto dhe zvogëlimi i konsiderueshëm i eksportit. Këto dy momente, sipas mendimit tim tregojnë se kriza politike ka pasur ndikimin mbi ekonominë, kryesisht duke u reflektuar nëpërmjet përmbajtjes së investitorëve për të investuar dhe të investitorëve potencialë që kanë pasur për qëllim eventualisht të futen në tregun tonë, që shihet nga rënia e investimeve bruto, si dhe të atyre që tashmë kanë hyrë dhe të cilët i ndërtojnë fabrikat e tyre, që shihet nga rënia e konsiderueshme e importit. Domethënë të gjithë ata janë përmbajtur nga investimet më të mëdha që rezultoi me përqindje më të vogël të rritjes nga pritjet iniciale”, thotë profesori Marjan Petreski.

Rritja e zvogëluar ekonomike, sipas qeverisë është pasojë e krizës politike, mirëpo kryeministri Nikolla Gruevski thotë se edhe me këtë përqindje, vendi mbetet ndërmjet më të mirëve në rajon dhe në Evropë sipas rritjes së PBB-së.

“Unë jam i kënaqur që kemi rritje serioze, një nga 10 më të mirat në Evropë dhe pres që në tremujorët e ardhshëm të kemi rritje të lartë ekonomike”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.

Për dallim prej tij, një pjesë e ekonomistëve nuk presin përmirësim të pozitave aktuale ekonomike. Jo vetëm kriza politike, por edhe problemet afatgjata sistemore e ngadalësojnë ekonominë dhe seriozisht ndikojnë mbi rritjen, konsideron profesoresha universitare, Shenaj Haxhimustafa.

“Rritja e zvogëluar ekonomike nuk duhet të shihet si efekt afatshkurtër, por duhet të analizohet në aspekt afatgjatë, gjegjësisht si është klima e përgjithshme për biznes dhe kualiteti i institucioneve. Duke e pasur parasysh edhe gjyqësinë, sundimin e të drejtës, korrupsionin, fitojmë një pako me probleme të cilat vite me radhë ndikojnë mbi klimën për biznes dhe ambientin në të cilin punojnë firmat”, thotë për Portalb, profesoresha dhe shton:

“Ne nuk kemi problem vetëm me krizën politike, por, disa vite me radhë, edhe në raportet që na i dërgon Komisioni Evropian dhe FMN-ja, theksohen probleme që gjenden në vetë sistemin, ato janë probleme që shkaktojnë paqartësi dhe kjo ndikon edhe te vetë investuesi kur duhet të marrë vendim për të investuar. Kriza politike, në mënyrë plotësuese, i nxori në shesh një pjesë të këtyre problemeve, që ndikoi mbi gjithë ekonominë”.

Në dhjetë vitet e fundit, përqindje më e lartë e rritjes ekonomike prej 6,5% është shënuar në vitin 2007, e pas saj vjen viti 2008 me rritje të PBB-së prej 5,5%. Mirëpo, menjëherë pas kësaj, si pasojë e krizës globale financiare, ndodh një goditje e fuqishme recesioni – në vitin 2009 ekonomia ishte në minus me 0,4%. Gjatë dekadës së kaluar, ka pasur edhe një vit me recesion, gjegjësisht në vitin 2012 ka pasur rënie të ekonomisë prej 0,5%.

Çka e pret ekonominë …

Për dallim nga qeveria, e cila edhe më tej projekton optimizëm, dhe e cila me rebalancin e buxhetit parashikoi rritje ekonomike prej 3,5%, Banka Popullore tashmë i paraqiti rezervat dhe dyshimet e para për periudhën që vjen.

“Në tremujorin e dytë, PBB-ja shënoi rritje vjetore prej 2,6%. Ky rezultat paraqet zvogëlim mesatar të dinamikës së rritjes në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti, që është në përputhje me pritjet për projektimet e muajit prill. Megjithatë, rreziqet nga vazhdimi eventual i efekteve nga ndodhitë në vend dhe mjedisi i jashtëm mund të ndikojnë në rritjen në gjysmën e dytë të vitit”, theksojnë për Portalb në BPRM.

Ekonomistët thonë se në fund të këtij viti vështirë se do të realizohen prognozat e parapara për rritjen ekonomike.

“Pres që gjithë vitin 2015 ta përfundojmë me rritje më të vogël nga ajo që pritej fillimisht për shkak se, edhe përkundër asaj jemi duke parë se në kontekst të krizës politike ka përparim, megjithatë ajo është larg zgjidhjes, gjegjësisht do të zgjidhet me zgjedhjet që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, kështu që edhe në tremujorin e tretë dhe të katërt pres se do të kemi realizim më të vogël të PBB-së se sa që do të kishim sikur të mos e kishim krizën politike”, thotë për Portalb, profesori Petreski.

Edhe përkundër asaj se edhe këtë vit edhe vitin e kaluar kishte rritje ekonomike, standardi i qytetarëve shumë ngadalë përmirësohet. Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% e mesatares evropiane. Sipas të dhënave për vitin 2014, PBB-ja për kryebanori e vendit, sipas metodës shpenzuese, është 3.198 еuro, që është një nga më të ulëtat në rajon dhe në Evropë.

Lajme të ngjashme

Back to top button