Mustafa: Qytetarët që po nënshkruajnë peticionin janë të painformuar

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur qëndrimin e tij se qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët po e nënshkruajnë peticionin e opozitës janë të painformuar. Ndërkaq, në raport me Veriun e Mitrovicës, kryeministri Mustafa ka pranuar se ajo pjesë është nën ndikim të plotë të Serbisë.

“Sigurisht se ka shumë nga qytetarët, të cilët po nënshkruhen në peticionin e opozitës, e të cilët nuk e kanë lexuar “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”, të dt. 19.04.2013, “Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje”, nr. 04/L-199 të dt. 27 qershor 2013, por as dokumentin: “Asociacioni/Bashkësia i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë-Parimet e Përgjithshme / Elementet kryesore”, nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij Facebook.

Ai më tutje i ka ftuar mediat që të bëjnë publikimin e dokumenteve përkatëse, sepse siç ka thënë ai pikërisht ata që e votuan ligjin për ratifikim të marrëveshjes, sot po i kundërshtojnë ato.

“Qytetarët duhet të informohen çfarë përmbajnë këto dokumente, kush i votoi ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kush nuk mori pjesë fare në votim, ndërkaq ishte prezent. Unë i ftoj mediat që të publikojnë këto dokumente, në mënyrë që ato të jenë të njohura për qytetarët. Sepse është ironike, që ata që e votuan Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjes, të kundërshtojnë marrëveshjet dhe të bashkë-organizojnë peticion e të kërkojnë nënshkrime nga qytetarët që të mos zbatohet Ligji”, ka shkruar Mustafa.

Kryeministri Mustafa më tutje ka thënë se Associacioni nuk do të ndodhte po që se Kosova me kohë do t’i integronte serbët, dhe po që se pjesa veriore e Kosovës mos të ishte e ndarë siç është sot.

“Çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo. Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim ti integrojmë me kohë serbet e Kosovës dhe sikur, me fajin tonë, por edhe të disave nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tani, kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, ta shpallim pavarësinë dhe ta ndërtojmë shtetin e pavarur”, ka thënë Mustafa.

Lajme të ngjashme

Back to top button