Talenti poetik për Kongresin e Manastirit

Poeti Gajur Pajaziti kërkon përkrahje më të madhe nga institucionet e vendit.

Nëntori po afrohet bashkë me mollat e kuqe te vjeshtës të këtij viti, kurse poeti Gajur Pajaziti vjen me përmbledhjen me poezi të botuar në Bukureshtin e famshëm të Rilindasve tanë shqiptar, në qytetin e Asdrenit, që mban titullin “107 Vjet Dritë”.

Kjo vepër është botuar  nga Shoqatën Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, kurse realizimin e ka bërë shtëpia botuese “Amanda Edit”. Poeti nga Kopanica e Shkupit në poezitë e tij flet për alfabetin shqip, për abetaren, librin, mësuesin, atdheun, fshatin, gurbetin, për shkollën fillore “Drita”,  aty ku edhe vetë ka mësuar shkrim-leximin… Në poezitë e tij përmenden Figurat e Kombit të cilët morën pjesë në Kongresin e Manastirit, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Mithat Frashri dhe një numër i madh dijetarësh që vendosën për themelimin e alfabetit tonë.

Poeti i ri Gajur Pajaziti me vargjet e qëndisura në librin e tij të titulluar “107 Vjet Dritë është munduar që të japë një kontribut të rëndësishëm me rastin e këtij përvjetori historik. Autori qytetin e Manastirit e sheh si një kala të ngritur me shkronjat e alfabetit shqip, duke theksuar se në këtë qytet duhet të investohet çdo ditë e më shumë për shkak se bëhet fjalë për folenë e alfabetit shqip.

Poeti në poezitë e tij kujton shumë mirë rrugën e shkronjave, i laton me një stil bukur vargjet dhe veta, ndërkohë shtron pyetjen se si  do të thurte poezit pa këtë vegël relevante gjuhësore e shprehimore.  Për Pajazitin, poesia është zona në të cilën zemra dhe shpirti gjejnë rehatinë.

Lapsat e rinj si Pajaziti duhet të përkrahen nga të gjitha institucionet kulturore dhe arsimore, nga afaristë, nga çdo individ që e do ardhmërinë dhe fjalën e shkruar nga të gjitha trojet shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button