Presioni ndërkombëtar mund t’i largojë kriminelët nga skena politike!

Bashkësia ndërkombëtare në njëfarë mënyre është duke e testuar drejtësinë e Kosovës, se a janë të gatshëm dhe të guximshëm të ballafaqohen më të gjitha krimet e natyrave të ndryshme, që kanë ndodhur deri më sot në Kosovën e pasluftës, nga ”peshqit e mëdhenj” të politikës dhe parapolitikës! Por, me këtë drejtësi kosovare të kapur nga mafia-politike dhe e biznesit, vështirë të besohet që gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës do të kenë guximin dhe kurajën të ballafaqohen me ”peshqit e mëdhenj” të politikës dhe parapolitikës, prej të cilëve edhe janë emëruar! Prandaj dyshojë tek drejtësia e Kosovës, dhe nuk pres që do të ndodhë ”mrekullia” nga kjo drejtësi e kapur për fyti nga mafia-politike dhe mafiozët e biznesit. Edhe në rast se drejtësia e Kosovës do ta ketë këtë ”guxim”, jam shumë i bindur që do merret vetëm me këlyshët e tyre, të cilët vetëm i kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të lartë të mafio-politikës, por s’janë njerëz që kanë ndonjë peshë të madhe në skenën politike.

Drejtësia e kapur për fyti nga mafio-politika!

Konsideroj që bashkësia ndërkombëtare ka bërë gabim që i ka kaluar lëndët tek vendorët, sepse këta gjykatës dhe prokurorë nuk kanë ardhur në ato pozita nga qielli, por janë emëruar pikërisht nga njerëzit me të cilët duhet të ballafaqohen, për krimet që i kanë bërë! Këta gjykatës dhe prokurorë, këtë gjë kanë mundur ta bëjnë edhe më herët, e jo të presin 16 vjet dhe ta lënë shtetin të shkatërrohet dhe degradohet në këtë masë, por nuk e kanë pasur as guximin dhe as kurajën, t’i hetojnë dhe t’i akuzojnë politikanët prej të cilëve janë emëruar! Prandaj nuk pres që do të ndodhë ”mrekullia” nga kjo drejtësi e kapur për fyti nga mafia-politike dhe mafiozët e biznesit. Kjo skenë politike e Kosovës i nënshtrohet vetëm presionit ndërkombëtar, sepse Bashkësia Ndërkombëtare, për çdo lider dhe politikan të Kosovës, ka argumente dhe e di se çfarë krime të natyrave të ndryshme kanë bërë, dhe një klasë politike kur ia zë bishtin me derë, edhe mund t’i imponosh çdo gjë, edhe për të mirë edhe për të keq.

Lëndët t’i kalojnë Gjykatës Speciale!

Nëse bashkësia ndërkombëtare e ka seriozisht dekriminalizimin e skenës politike dhe institucioneve të Kosovës, atëherë duhet ta ushtrojnë presionin e tyre ndaj këtyre kriminelëve të politikës, që të largohen nga politika, sepse falë këtyre mafiozëve të politikës, kemi dështuar të kemi një shtet ligjor dhe jemi në këtë gjendje të rëndë e të mjerueshme, e jo të vazhdojnë bashkëpunimin me këta kriminelë dhe të bëjnë improvizime duke larguar disa ”peshq të vegjël” nga skena politike. Këtë mund ta bëjë bashkësia ndërkombëtare, nëse dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë ligjor, duke i izoluar dhe larguar nga skena politike, këta banditë dhe mafiozë, të cilët janë shndërruar në kancerin e shtetit dhe gjithë shoqërisë. Prandaj nëse me të vërtetë do të donim që të ndodhte mrekullia dhe të pastrohej njëherë e mirë pushteti, skena politike, institucionet shtetërore dhe drejtësia, nga këta hajna, banditë, kriminelë e hiena, që na shkatërruan jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, atëherë të gjitha lëndët do të duhej t’i kalonin Gjykatës Speciale. Por, nëse edhe kjo Gjykatë vepron sikurse EULEX-i dhe UNMIK-u, duke u zhytur në korrupsion dhe një farë mënyre edhe bashkëpunëtorë të mafio-politikës në Kosovë, atëherë një Gjykatë e tillë s’ka çfarë të na duhet fare.

Lajme të ngjashme

Back to top button