FJALA

Fjala qëndron në majë të gjuhës. Lidhet për gjuhe e zgjidhet. Fjala  lidhet edhe për të vërtetën, por edhe për gënjeshtrën.  Fjala jepet, por edhe të kthehet. Përmes saj shprehen besa dhe premtimi. Ka fjalë të buta, të mira, ka fjalë të fëlliqura, të rënda. Del nga zemra, por edhe rrëshqet nga goja. Fjala mund të jetë e shpifur, e ndaluar, por edhe e lirë, mund të jetë edhe qesharake, por edhe serioze. Ajo është e ëmbël, mjaltë. Është edhe pelin e hidhur. Fjala i hap dyert e hekurta, por edhe të ngujon, është freski për shpirtin, por është edhe ferrë, shpatë. Nuk ka lojë me fjalën. Ajo lë trauma. Ajo edhe vret. Paulo Kuelo thotë:

“Nga të gjitha armët shkatërruese të cilat njeriu i ka shpikur, më e tmerrshme dhe më e fuqishme ka qenë fjala. Thikat dhe shtizat kanë lënë gjurmë gjaku. Shigjetat kanë mundur të shihen të shihen edhe nga larg. Helmet gjithashtu janë zbuluar duke humbur veprimin e tyre vrastar. Kurse fjala ka arritur të zhdukë pa lënë gjurmë”.

Ja se çfarë thotë populli ynë për fjalën:

“Ni herë moti njani ishte ba shoç me ni araushë. Vajn mas ni kohe arausha majk e shoçi vet. E zoja e shpajs kur e shef se burri i asaj a ba shoç me araushën, e thajrën burrin e vet:

“O njeri hajde najfëm n’shpaj t’zarmit pak”.

Ki shkon e gruja mas dere i thot:

“Au, si u bane shoç me arushën, a s’e shef sa i vajn era e keçe”.

Arausha e najn, po nalet për drekë, ama raj krejelivarët. Mas dreke i thot zotit shpajs:

“O shoçi jem, merre supatën ene berëm n’kraje”!

A bahet, a s’bahet, zoti i shpajs i bie, se fjala e majkit asht ligj. Shkon arusha n’shpellën e vet n’mal ene bie n’xhumin e dimnit. N’pranverë ngrajhet t’haje, kur e shef shoçin e vet. Hunxhen në ni trau pahi ene folin. Arausha i thot:

“O shoç, a diktohet varra e supatës n’krajet tem”?

“Jo”.

“E di”, thot arausha, majrpo fjala çi ma tha gruja jote ka met varrë çi nuk mshilet”…

Ka raste kur fjala bëhet melhem për varrë, por ka raste kur të prridh, ta zë frymën. Ndonjëherë të jep flatra, herën tjetër të mbetet në fyt. E lëshon si kanarinë, të kthehet si sorrë. Është kokëfortë, e padëgjueshme, por edhe e dëgjueshme. Për ta bërë për vete, ajo kërkon punë, vendosmëri e durim. Atëherë renditet për mrekulli në fjali dhe kumbon bukur, bën dritë, herën tjetër të ikën  si zogjtë shtegtarë duke lënë pas vetes një zbrazëti të paparë, një hurdhë midis fjalisë, duke lënë edhe  njolla të pashlyeshme. Jo rrallë ta sjell shpresën për ditë më të mira, por ajo di edhe të ta nxijë jetën. Ka fjalë të pathënë, të heshtur, ka edhe të befasishme dhe tronditëse. Fjala matet, por edhe zgjatet. Fjala përcillet brez pas brezi, gojë më gojë, por bie edhe më greminat e harresës. Ajo zgjidhet, ajo respektohet, ajo edhe shkelet. Të çmend e të qetëson. Të ndjek prapa si hije gjithkund, deri në frymën e fundit. Ka vetëm dy ngjyra: të bardhë dhe të zezë. Fjala nuk është lojë. Ajo është e para në librat e shenjtë, ajo ka peshë në Kanun, por është e pavlerë te politikanët, te trafikantët dhe maskarenjtë. Fjala e ndez fitilin e dashurisë dhe e kall flakën e urrejtjes. Ajo nuk jeton e ndarë nga fjalia, nga konteksti dhe nga kuptimi.

Me fjalën nuk ka lojë. Kujdes me të. Kujdes ju njerëzit e popullit… Ju që e keni amanet nga stërgjyshërit tonë ta ruani fjalën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button