Dosja Kerim: A do ta rrëzojnë aferat kandidaturën e diplomatit në OKB?

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që ta nominojë Srgjan Kerim për funksionin sekretar të përgjithshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të cilën e kryen Ban Ki-mun, të cilit mandati i dytë pesëvjeçar i kalon në fund të 2016-tës. Grupi i Evropës Lindore në Kombet e Bashkuara, në të cilën bën pjesë edhe Maqedonia, në nëntor të vitit të kaluar ka marrë qëndrim të përbashkët, që sekretari gjeneral i ardhshëm në OKB të jetë nga radhët e saj.

“Si rezultat i konsultimeve diplomatike, por edhe vlerësimeve të larta për përvojën e tij ndërkombëtare, njohjen e mirë të proceseve dhe kualifikimeve globale, veçmas njohjen e gjerë nga shtetet anëtare për udhëheqjen me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Republika e Maqedonisë ka vlerësuar se dr. Srgjan Kerim është personalitet i cili i përmbush të gjitha kushtet dhe kriteriumet që të jetë kandidat për funksionin- sekretar gjeneral në OKB”, thuhet në deklaratën e Qeverisë, transmeton Faktor.

Sipas informatave, si kandidat të mundshëm janë përmendur edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë Vesna Vusiq, drejtoresha aktuale e UNESCO-s nga Bullgaria Irina Bokova, por edhe ish ministri për Punë të Jashtme të Serbisë Vuk Jeremiq. Kush do të hyjë në garë do të merret vesh përafërsisht në Vitin e Ri.

Fushata jozyrtare për sekretar gjeneral të OKB-së ka nisur

Srgjan Kerim, jo zyrtarisht tanimë e ka nisur fushatën me lobim. Ai tanimë ka bërë vizita në Pekin, Moskë, ku zyrtarisht ka qenë për të promovuar libër.

Kerim, ka përvojë të pasur diplomatike, si ambasador, ministër i Punëve të Jashtme dhe kryesues i 62 seancave kuvendare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator të vitit 2007.

Në OKB Kerim, Crvenkovskin e ka thirrur si kryetar i Republikës së Maqedonisë, dhe jo si FYROM, me këtë ka shkaktuar reagim nga pala greke.

Në vitin 2007, si kryesues me seancën e 62-të në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kerim gjatë thirrjes për t’iu drejtuar udhëheqësve botërorë, e ka thirrur kryetarin e atëhershëm të shtetit Branko Crvenkovski si kryetar i Republikës së Maqedonisë, dhe jo si i FYROM-it, me të cilën ka shkaktuar protestë të fuqishme në palën greke.

Srgjan Kerim

“Si kryesues me Asamblenë e Përgjithshme, jam i obliguar që të tregoj respekt për dinjitetin e secilit shtet-anëtare në OKB, duke e përfshirë edhe shtetin tim”, ka thënë atëherë Kerim.

Për emrin e Srgjan Kerimit në Maqedoni janë të lidhura shumë afera

Për emrin e Srgjan Kerim në Maqedoni janë të lidhura shumë afera dhe spekulime. Për atë flitet se qysh në kohën e ish Jugosllavisë ka qenë udhëheqës i njërës ndër shërbimeve sekrete më elite dhe më të përfolura. Diplomati Srgjan Kerim asnjëherë nuk e ka fshehur prirjen e tij për të qenë elitar dhe luksoz. Gjatë kohës së tij kur e kryente funksionin e ambasadorit në Gjermani, është ndërtuar ambasada më e shtrenjtë e Maqedonisë. Kur ishte ambasador në OKB, ka ndenjur në apartament ku sipas burimeve të atëhershme mediatike qiraja mujore ka kushtuar 14.000 dollarë. Si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka bërë mjaft publicitet për takimet e tij me emra të njohur botërorë, Anxhelina Xholi, Eshli Xhad, Derill Hana etj.

Banesë në New York

Apartament në Menheten me vlerë prej 1.475.000 dollarë, ka blerë Srgjan Kerim, njeriu i parë i “Media Print Maqedoni”, është shkruar në vitin 2012 nëpër mediumet e vendit duke u bazuar nga informatat e ueb faqes për pasuri të patundshme www.blockshopper.com. Apartamenti gjendet në kompleksin luksoz “Beler apartmans”, në ndërtesën prestigjioze të lagjes Lenoks Hill. Mediumet spekulonin se banesa është blerë në prag të shitjes së kompanisë MPM, biznesmenit Orce Kamçev.

Njeriu i parë i MPM-së, i gazetave me tirazh dhe me ndikim më të madh

Srgjan Kerim nga viti 2003 është njeriu i parë i MPM-së (Media Print Maqedoni), ku si pjesë e saj janë gazetat e përditshme me tirazh dhe me ndikim më të madh në vend, “Dnevnik”, “Vest” dhe “Utrinski Vesnik”. Ai është mik i afërt me Bodo Hombah, i njohur te ne si ish shef i “Paktit për Stabilitet”. Mu nëpërmjet Hombah, grupi MPM është marrë nga manjati mediatik gjerman VAC.

Gazeta

Kerim nuk e ka fshehur afërsinë me partinë në pushtet VMRO-DPMNE

Srgjan Kerim, shpesh mund të shihet në tubimet kryesore të partisë pushtetare VMRO-DPMNE. Ai nuk e mohon afërsinë e tij me anëtarët e partisë, veçmas me ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, si dhe me biznesmenin, Orce Kamçev.

Ai në një intervistë ka thënë që nuk sheh asgjë të keqe se disa mediume që janë nën ombrellën e MPM-së, i përkrahin dhe u japin mbështetje politikave qeveritare. Edhe pse, thotë që “Dnevnik” është i vetmi që është orientuar drejt politikave pro qeveritare. Sipas Kerim, “Utrinski Vesnik” ka qenë më i orientuar nga opozita, ndërkaq “Vest” ka funksionuar ashtu siç ka funksionuar.

Srgjan Kerim 2

Afera 750 mijë euro në shishe

Me Kerim para disa vjetëve është zbuluar afera “750.000 euro në shishe”, por as VAC, pronari i atëhershëm i MPM-së, por as pushteti i Maqedonisë nuk kanë gjetur diçka të gabuar në këtë aferë. Sipas informatave, atëherë në veturën zyrtare të MPM-së, të cilën e ka drejtuar shoferi personal i Kerim, në një shishe të plastikës janë gjetur 750.000 euro në kesh. Srgjan Kerim e ka mohuar përgjegjësinë për rastin i cili ka ndodhur në kufirin hungarez, për të cilën pushteti hungarez e ka alarmuar Drejtorinë e Maqedonisë për parandalim të larjes së parave.

Biografia

Srgjan Kerim është i lindur më 12 dhjetor të vitit 1948 në Shkup. Ai është djali i funksionarit, politikanit Asan Kerim. Ka diplomuar në Fakultetin për Shkenca Ekonomike në Beograd në vitin 1971, ndërkaq në vitin 1982 e ka marrë titullin doktor i shkencave ekonomike. Në periudhën prej vitit 1972-1991 ka qenë profesor në katedrën për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Beograd. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Hamburgut dhe New Yorkut. Ka publikuar nëntë libra në fushën e politikes botërore, ekonomisë ndërkombëtare dhe problemet me të rinjtë, por edhe 100 punime shkencore të cilat janë të publikuara në Maqedoni dhe vende tjera, si Gjermani, Francë, Greqi, Austri, Serbi, Mal të Zi dhe Slloveni.

Funksione të cilat i ka kryer

Mes funksioneve të cilat i ka kryer gjatë kohës së karrierës politike në ish Jugosllavi ka qenë, ministër për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike në Qeverinë e Republikës Socialiste të Maqedonisë, në periudhën prej vitit 1986-89, ndërkaq prej vitit 1990-1991 ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë. Në vitin 1990-1991 ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë. Në nëntor të vitit 2000 deri në maj të vitit 2001 ka qenë ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Në kuadër të karrierës së tij diplomatike nga vitit 1994 deri në vitin 2000 ka qenë ambasador i Republikës së Maqedonisë në Gjermani, ndërkaq prej vitit 1995 deri në vitin 2000, ka qenë i emëruar si ambasador në Zvicër dhe Lihtenshtajn. Nga viti 2001 deri më vitin 2003 ka qenë ambasador i Maqedonisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Kerim në vitet 1999 dhe 2000 ka qenë dhe i dërguar special i koordinatorit të “Paktit për Stabilitet për Juglindjen e Evropës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button