DJEMTË E BABËS

S’ka gjë më të kollajshme se të njohish djemtë e babës. Ata jetojnë në kasabanë time, tënden, tonën dhe janë modeli i ëndërruar prej mizërisë së lakmitarëve rapacelë të mollëve të ndaluara, prej mendjesh miturake, që s’e kuptojnë në kurrizin e kujt jeton metili.

Djemtë e babës e rrisin shtatin n’abuzime turlifare. Së brendshmi, mos i vet…, kurse së jashtmi duken engjëj në sajë të veshjeve farfuritëse të heronjëve të papërsëritshëm të Erazmo Roterdamit e Tomas Morit, të larë n’parfumet e shtrenjta, që unë, ti, ne…, do t’i përdorim në parajsë, nëse nuk gjejnë udhë për ta blerë e shitur edhe botën e përtejme si hidulgencat e mesjetës.

Djemtë e babës jetojnë në pallate korrupcionesh, verojnë në vilat e ngritura n’brigje detë-liqenesh përrallore, dimërojnë në mrekullitë arkitekturore t’Olimpit, me  banjo të veçanta për macet dhe qenushët e zonjave të frustruara salltanatesh, të cilave u ka rënë bingo aktrimi i princeshave të kohërave që s’do të duhej të ishin tonat.

Djemtë e babës janë pronarë kadillakësh që kapërcejnë vlerën e shtëpive të klasës intelektuale të papërlyer në baltovinën e hamameve demokratike të tipit ballkanik. Ata kanë edhe nga një ‘harli” zhurmëmadh që trand lagjet sa herë nisin udhët e sefasë pa fund pronarët e tyre, para syrit të gjynafit që s’di “gjo”, përveç te famshmes: E shkruar nga Zoti.

Djemtë e babës janë produkt pasurishë të fituara pa kokër djerse – bijë dallaveresh, të cilëve s’u ka thënë kush: Puna e mbarë! Ata janë pjellë e mjerimit të gjithanshëm me përmasa oqeani, që hajdutët, xhambazët, rrenaxhinjtë, matrapazët, delinxhinjtë, amoralët, askushët… i koncepton burra të ndershëm e shpresë ardhmërie, pa u vajtur mendja t’ua kruajnë pak të vërtetën për t’zbuluar se, në fakt, kanë të bëjnë me aristokratët e ardhshëm – pinjollë fukarenjshë të djeshëm, që e lidhnin me “sixhim” copën e pastërmasë për t’i dhënë shije fasules së radhës; me hazërxhinjtë e ishullit të liliputëve, të gdhirë papandehur në padronë izmeqarësh të bindur si alete pune dhe jo vetëm; me njerëzit pa marre, që çuditërisht rrojnë lëmueshëm, pa çka se loket tona të urta na mëkuan një jetë me lutje-mallkimin: Njeriu pa marre mos rroftë!

Djemtë e babës janë çallamxhi dhe, për pasojë: asocialë. Prandaj shoqërohen vetëm me djem baballarësh të tjerë. Ata s’i do kush, hiq budallenjtë dhe vajzushkat mendjegëzuara të dresuara për jetë kukullash.

Djetmë e babës  janë krejtësisht të pahajër dhe, zakonisht, të paaftë për punë serioze. Të vetmen gjë që dinë ta bëjnë mirë, pavarësisht çallamit të pambulesë, është zhonglimi i marlboro-ve dhe prerja profesionale e mishit të zogut në tavolinat e restaurant-eve me taverna.

Djemtë e babës kanë të ardhme të garantuar, se nuk janë jetimë ata. Është babi ai që digjet si qiri për lumturinë e bijve, nipave dhe stërnipave, sepse nastradinit i ka ecur falli dhe, beriqaversën, mbi oxhak po i këndon dhe pula. Ka bërë gjënë e duhur babi, ka siguruar për gjatë kabilen, i bindur se masa amorfe do të thotë me shkul shpirti: I zoti filani!

Vuajtja, dhembja, hjeka… e vetme e djemve t’babës është ndoj therrje e rastësishme dhëmbi, a ndoj gomë e shpuar automobili, thotë njohësi i tyre Çarls Bukovski.

Ashiqare: djemtë e babës janë vazhdimësi/ kopje e pinjollëve të mbretërve sojli dhe agallarëve sfrutues të së shkuarës tragjikomike. Në fakt, ata janë të gjithkohshëm dhe mbijnë prej të gjitha ideologjive dhe sistemeve të sallamadishme. Duket absurde, por ata janë të pafajshëm për sa kohë jeta bëhet në moçal. Gjithsesi, janë më të pafajshëm se shkretishtja. Prandaj grafllojnë si shtogu… dhe do ta bëjnë dimër të ankthshëm edhe të ardhmen e gjynahut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button