USHT organizoi Kongresin e parë ndërkombëtar të shkencave të biologjisë aplikative

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit Shtetëror të Tetovës, në bashkëpunim me Universitetin Karamanoglu nga Republika e Turqisë dhe Qendrën ndërkombëtare për hulumtime shkencore organizuan Kongresin e parë ndërkombëtar të shkencave të biologjisë aplikative. Kongresi gjatë dy ditëve me radhë do t’i zhvillojë punimet në Shkup.

DSC_1572

Hapjen solemne të këtij kongresi e bëri dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. dr. Fauzi Skenderi, i cili në emër të Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti shprehu mirënjohje për kontributin e të gjithë shkencëtarëve pjesëmarrës në këtë kongres, duke theksuar se ky organizim shkencor do  t’i përmbushë qëllimet, si në prezantimin e hulumtimeve më të reja në lëmin e biologjisë, por njëkohësisht, përmes konsultimeve mes studiuesve dhe bashkëpunimit mes tyre do të intensifikojë edhe më shumë interesin për studime më të thelluara, të hulumtimeve serioze shkencore, të rëndësishme për studentët dhe punonjësit shkencorë. “Ky tubim, po ashtu është edhe një mundësi e shkëlqyer për ta forcuar bashkëpunim e ndërsjellë institucional në procesin e edukimit dhe punën kërkimore-shkencore. Përmes organizimeve të kësaj natyre ne do të t’u hapim rrugë edhe formave të tjera të shkëmbimit, të cilat do të mundësonin përfitimin e  diturive dhe përvojave të reja në sferat e të arriturave më të larta evropiane dhe botërore, në arsim, shkencë dhe veprimtari aplikative”, tha Prof. dr. Fazi Skenderi, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore.

Kryetari i Qendrës Ndërkombëtare për Hulumtime Shkencore, Prof. dr. Mehmet Kartash theksoi se kjo qendër vazhdimisht organizon konferenca dhe kongrese të ndryshme ndërkombëtare në Turqi dhe kësaj radhe kemi vendosur që këto kongrese t’i shtrijmë edhe në vendin tuaj, respektivisht në Maqedoni, duke bashkëpunuar me Universitetin Shtetëror të Tetovës. “Pas kongreseve që i organizuam në Turqi, lindi ideja që edhe në Maqedoni të organizojmë një kongres të tillë dhe gjetëm mundësi mjaftë të mirë për të bashkëpunuar me Universitetin Shtetëror të Tetovës, universitet ky tani më i njohur për organizimin e shumë konferencave të ndryshme shkencore, dhe pikërisht për këtë arsye vendosëm që të bashkëpunojmë me USHT-në, pasi që edhe më parë, Universiteti Nexhmetin Erbakan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me USHT-në. Dëshiroj për këtë organizim kaq të mirëfilltë të falënderoj Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që na ka dhënë në organizimin e këtij kongresi. Në këtë vend ku jemi ne nuk do të ndalojmë. Këtu është vetëm fillimi i punës tonë dhe ne do të punojmë në mënyrë intensive për ta forcuar dhe për ta ngritur edhe më shumë bashkëpunimin shkencor me Universitetin Shtetëror të Tetovës”, tha Prof. dr. Mehmet Kartash, drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Hulumtime Shkencore të Turqisë.

Në këtë Kongres shkencor ndërkombëtar të shkencave të biologjisë aplikative marrin pjesë mbi 200 studiues, 120 prej tyre janë nga universitetet e Republikës së Turqisë, mbi 40 studiues  janë nga USHT dhe studiues të vendeve tjera nga rajoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button