Lini futbollistët shqiptarë të Zvicrës rehat!

Prandaj mos i vini këta djem në siklet me akuza për “tradhëti”, vetëm e vetëm pse me suksesin e tyre individual kanë nxjerrë në dritë dështimin tonë si kolektiv. Ata kanë bërë dhe janë duke bërë shumë për promovim të shqiptarëve në botë

Në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit “Brazil 2014” nesër në Tiranë luhet ndeshja e rradhës ku kombëtarja shqiptare do të përballet me atë të Zvicrës. Në vetvete ndeshja si e tillë nuk është gjithaq e rëndësishme; Zvicra thuajse ka siguruar kualifikimin për botërorin, ndërsa pas dy ndeshjeve të fundit Shqipëria ka humbur edhe ato pak gjasa që kishte për t’u kualifikuar. Por ajo që tërheq vëmendjen dhe që e bën ndeshjen jashtëzakonisht interesante është pikërisht përbërja e kombëtares zvicrane, skelet i së cilës janë disa lojtarë shqiptarë, e që si numër arrijnë thuajse gjysmën e gjithë skuadrës zvicrane.

Bëhet fjalë për Valon Behramin, Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën me prejardhje nga Kosova dhe Blerim Xhemailin, Admir Mehmedin e Pajtim Kasamin nga Maqedonia. Këta djelmosha janë të gjithë me nënshtetësi zvicerane, të vendit ku janë rritur e zhvilluar si sportistë të vërtetë. Nga Zvicra ata kanë lansuar karierat e tyre yjore, që tanimë i gjen në klubet më me famë botërore si Bajerni gjerman apo Napoli italian. Përveç talentit të tyre të natyrshëm për futboll, janë pa dyshim kushtet që ju ka ofruar infrastuktura zvicrane e futbollit dhe në përgjithësi shoqëria zvicrane ajo që u ka mundësuar atyre përparimin e vërtetë në fushën e futbollit dhe arritjen e famës botërore.

Në një botë normale fakti që këta djelmosha rrjedhimisht duhej të ishin pjesëtarë të skuadrës zvicrane as që do të vihej në dyshim. Por për fat të keq opinioni shqiptar nuk i ka trajtuar pëherë mirë këta djelmosha. Herë pas here, e posaçërisht ditëve të fundit, grupe të caktuara tifozësh dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit u kanë bërë atyre thirrje që të lënë skuadrën zvicrane dhe t’i bashkangjiten kombëtares së Shqipërisë, ose të paktën të mos luajnë dhe mos shënojnë gola kundër Shqipërisë.

Për të parë se sa absurde duket kjo kërkesë mjafton vetëm të numërojmë se çka humbin e çfarë fitojnë këta futbollistë dhe shqiptarët në përgjithësi, po të bëjnë vërtetë një hap të tillë. Së pari ne ju kërkojmë atyre të injorojnë vendin ku janë rritur e jetuar dhe që i ka bërë futbollistë të këtij kalibri. Pikë së pari ju kërkojmë pra të jenë mosmirënjohës. Ju kërkojmë poashtu të mbyllin dyert zvicrane për talentë futbolli të ardhshëm shqiptarë që po rriten tani në atë vend, sepse padyshim ata nuk do të kenë të njëjtin trajtim nëse do dyshohet se do ndjekin hapat e paraardhësve të tyre. Duke ditur se Zvicra me siguri do të jetë pjesëmarrëse e botërorit 2014, e me gjasa të mira edhe botërorëve e europianëve të ardhshëm, ne këtyre djemve ju kemi kërkuar të heqin dorë nga pjesëmarrja në këtë ngjarje, ëndërr jo vetëm e çdo futbollisti, por e çdonjërit që ka prekur ndonjëherë topin qysh si fëmijë. E kur ju kërkojmë të mos luajnë e mos angazhohen në ndeshje kundër Shqipërisë, ju kërkojmë të suspendojnë profesionalizmin e tyre, të shndërrohen në futbollistë labilë – trukues ndeshjesh, me çka edhe do të poshtërsonin Shqipërinë e cila do të fitonte pa e merituar, vetëm pse dikush e ka “lëshuar”.
 
E gjithë kjo sakrificë që kërkojmë nga këta djelmosha mbase edhe do të arsyetohej, sikur vërtetë të mund të jepte ndonjë rezultat pozitiv. Por Shqipëria tanimë i ka humbur gjasat për kualifikim, pikë së pari për shkak të ndeshjeve të dobëta me reprezentacione si Islanda e Sllovenia, për çka më së paku e ka fajin Zvicra dhe djelmoshat shqiptarë të saj. Ajo sigurisht nuk do të kishte kaluar shumë më mirë as sikur këta “zvicranë” shqiptarë t’i ishin bashkuar kombëtares që më parë. Kjo sepse as në skuadrën e tashme të Shqipërisë nuk mungojnë talentët, e megjithatë nuk arrihen rezultate të kënaqshme. E faji për këtë nuk është kryesisht te futbollistët e kombëtares ashtu siç mund të mendohet dhe në këtë drejtim nuk do të kishte ndihmuar shumë as angazhimi i këtyre talentëve të diasporës. Lë shumë për të dëshiruar pikë së pari vetë organizimi i futbollit në vend, puna e federatës dhe kushtet që i mundëson ajo kombëtares; me një fjalë i gjithë sistemi i futbollit në Shqipëri. Flitet edhe për raste kur lojtarët shantazhohen, madje duke ju kërkuar edhe para “në të zezë” për të mbrojtur ngjyrat e kombëtares, siç kanë pohuar disa futbollistë. Mentalitet i këtij sistemi si duket është bërë vjelja e frutave që ka rritur tjetërkush, në këtë rast Zvicra, e jo zhvillimi i futbollit vendor.

Me talentin e tyre, por gjithsesi edhe me ndihmën e sistemit zvicran, këta futbollistë janë shndërruar në ambasadorë të vërtetë të kapacitetit sportiv shqiptar, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Me sukseset në nivel të klubeve, po pse jo edhe me atë të kombëtares zvicrane, me gjithë mundësinë për të marrë pjesë në botërorin 2014, ata kanë arritur që sadopak të zbusin dhe përmirësojnë imazhin e keq që kanë shqiptarët nëpër Europë. Në vend se t’i njollosim me akuza “tradhëtie”, shantazhime, propozime për trukime e të tjera, a nuk do të ishte më mirë që këta djelmosha të përkrahen maksimalisht dhe të shfrytëzohen në mënyra tjera? Për shembull të ndihmojnë me shkolla futbolli për zhvillim të talentëve të ardhshëm. Ose me kontaktet që kanë të bëhen urë lidhëse mes talentëve të rinj shqiptarë dhe klubeve të mëdhenj ndërkombëtarë. Ose të kontributojnë për shembull për promovim të kombëtares së Kosovës dhe kyçjen e saj eventuale në FIFA e UEFA. Në fund të fundit a nuk duhet të bëjmë pyetjen pse talentët shqiptarë mund të përparojnë në vende të huaja, por jo edhe në vendin e tyre? A nuk është suksesi i tyre një alarm për t’iu kthyer vetvetes dhe për të shikuar se çka s’është në rregull këtu te ne? Dhe eventualisht t’u kërkohet të ndihmojnë që edhe futbolli shqiptar të organizohet dhe zhvillohet sa më mirë dhe sa më profesionalisht?

Prandaj mos i vini këta djem në siklet me akuza për “tradhëti”, vetëm e vetëm pse me suksesin e tyre individual kanë nxjerrë në dritë dështimin tonë si kolektiv. Ata kanë bërë dhe janë duke bërë shumë për promovim të shqiptarëve në botë edhe aty ku janë e luajnë momentalisht, ndoshta më tepër se ç‘do bënin si pjesëtarë të kombëtares shqiptare. Në ndeshjen e të premtes gjithsesi bëni tifo për Shqipërinë, por mos harroni t’i shpërbleni edhe këta futbollistë shqiptarë të Zvicrës. Jini mirënjohës për promovimin falas që po na bëjnë si komb nëpër botë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button