Tmerr në Kili, tërmet dhe cunami

Shteti amerikanolatin i Kilit është goditur mbrëmjen e djeshme, në 19:54 me orën lokale, nga një tërmet me magnitudë 8.3 ballë, duke krijuar një panik të jashtëzakonshëm tek popullata.

Tërmeti e ka pasur epiqendrën 500 km në veri të Santiagos, kryeqytetit të vendit, dhe ka sjellë më pas dhe një cunami, transmeton TeSheshi.

Pesë persona raportohet deri më tani të kenë humbur jetën, e njëzet të tjera janë lënduar, por ky numër pritet të rritet me kalimin e orëve. Ndërkaq, një milion njerëz janë evakuuar.

Qyteti bregdetar i Kokuimbos është goditur nga valët e cunamit, që arritën një lartësi prej 4.5 metrash. Po ashtu, dhe në qytetet e tjera bregdetare ka patur vërshim të ujit në rrugë, duke sjellë përmbytje.

Tërmeti i fuqishëm është pasuar nga 15 dridhje të tjera të tokës, me njërën prej tyre që ka qenë e intensitetit 6.2 ballë.

Kili është i njohur për historinë e tij të trishtueshme të tërmeteve me magnitudë të lartë. Rekordin e mban tërmeti i vitit 1960 në jug të vendit, i cili qe 9.5 ballë, duke rezultuar njëkohësisht dhe si tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në historinë njerëzore.

Tre tërmete të tjera katastrofike ka njohur Kili në këtë shekull, atë me magnitudë 8.4 ballë në vitin 2001, me 8.0 ballë në 2007-ën, dhe atë të 2010-ës, me magnitudë 8.8 ballë, që solli shkatërrim e humbje të panumërta në njerëz.

Lajme të ngjashme

Back to top button