Maqedoni, shteti krijon krizë artificiale të refugjatëve

“Refugjatët në rrugën me rreziqe dhe pasiguri drejt lirisë: Si të sigurohet tretman i drejtë dhe human”, ishte debati i organizuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni, që u mbajt të mërkurën në Shkup. Në këtë debat morën pjesë ekspertë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare nga vendi dhe rajoni që diskutuan rreth çështjes së refugjatëve duke nisur që nga gjendja e tyre momentale, përvojat e tyre në terren, mundësitë se si mund t’u ndihmohet, keqatrajtimet, plaçkitja, masat e marra nga shtetet etj.

FShH, debat publik në GEM Klub

Debatin e filloi Urania Pirovska nga Komiteti i Helsikit me një hyrje të shkurtër për gjendjen e refugjatëve në Maqedoni dhe rajon, si dhe me atë se si ka ardhur kjo situatë deri këtu, duke dhënë statistika dhe numra konkret për të ikurit nga Lindja e Mesme dhe njëkohësisht duke theksuar se për këtë krizë, përgjegjëse gjithashtu është edhe BE-ja.

“BE-në nuk mundemi ta heqim nga përgjegjësia për refugjatët dhe politikat e saja për gjithçka që ndodh me refugjatët në regjion”, ka thënë Pirovska

Profesori Trpe Stojanovski vlerësoi se duhet të qartësohet statusi i refugjatëve.

“Duhet të saktësohet se kush është i ikur dhe kush emigrant, kush ik për të shpëtuar nga lufta dhe kush për përfitime materiale”, ka thënë Stojanovski.

Sipas, përfaqësueses së OJQ-së Legis Mersiha Smajloviq, në “Mafidoni” siç thotë ajo, kanë operuar lirshëm grupe kriminele që i kanë plaçkitur refugjatët.

“Unë personalisht kam parë grupe kriminele që operonin lirisht në Vakcincë dhe Llojan, ndërkaq refugjatët e frikësuar kanë qenë të rrahur dhe të pambrojtur nga ana e atyre që duhet t’u dilnin në ndihmë”, ka thënë Smajloviq.

Eksperti nga Greqia Vasilis, ka thënë që Parlamenti Evropian duhet ta ngrejë zërin dhe të ndërmerr masa konkrete.

“S’di pse duhet të frikohemi nga ata kur asnjë rast nuk është regjistruar, ku ndonjë refugjat ta ketë sulmuar apo vjedhur dikë. Parlamenti Evropian me heshtje u ndihmon vjedhësve të refugjatëve, unë e kam ngritur këtë çështje, por si duket të gjithë duan të përfitojnë”, është shprehur Vasilis.

Nikolina Miliq, është shprehur se gardhi i ndërtuar në Hungari nuk ka ndryshuar asgjë, dhe ndërtimi i ndonjë gardhi në shtetin tonë apo shtetet ballkanike do të ishte diçka e panevojshme.

“Është ndërtuar gardhi në Hungari, por nuk ka ndryshuar asgjë, ata kur vijnë në Serbi menjëherë duan të ikin nga aty. Shumica drejtohen për në Gjermani, Zvicër, Holandë e në vendet tjera të Evropës”, ka thënë Miliq.

Përfaqësuesja e QHIT-Novi Sad Iva Isakov, ajo vlerëson se duhet më tepër të informohen sepse ata gjenden janë transit dhe nuk e din as nga vijnë e as nga shkojnë.

“Refugjatët qëndrojnë më pak se një ditë, të lënduar e të lodhur, por nuk duan ndihmë mjekësore, bile e refuzojnë atë. Gjendja është kaotike, më e keqja është se nuk u japin informata se ku gjinden, ku do të shkojnë apo çfarë do të ndodhë me ta”, ka thënë Isakov.

Përfaqësuesi nga KH-Hungari, Andrash Alfoldi situatën e vlerëson si relative, ndërkaq Hungaria përveç që e ka bërë gardhin me gjemba e ka bërë edhe një “gardh” juridik.

“Duhet që të rregullohet statusi juridik i refugjatëve. Masat e refugjatëve janë një “gardh” juridik që i shkelin të drejtat njerëzore të tyre. Padyshim se për ndryshimin e gjendjes duhet të ketë ndryshime ligjore”, ka thënë Alfoldi.

Alison Smith, nga OJQ “Nuk ka paqe pa drejtësi”, situatën e vlerëson të frikshme, ndërkaq zgjidhjen e problemit e kërkon te përgatitja e shteteve nga të gjitha aspektet.

“Nuk e di pse kjo ndodhi kështu, kur shtetet kanë pasur kohë paraprakisht të ndërmarrin masa. Gjendja është e frikshme, gjithandej ka frikë dhe dhunë. Shtetet duhet të përgatiten mirë në të gjitha sektorët për të dalë sa më shpejtë nga kriza”, ka thënë Alison Smith.

Mbrëmja e debatit përfundoi me disa pyetje nga të pranishmit, ku mes tjerash u diskutua, për mundësitë e BE-së për zgjidhjen e krizës, trysninë e OJQ-ve ndaj shteteve, politikat e jashtme dhe të brendshme në lidhje me refugjatët, ndërkaq këtë krizë e përkufizuan si “krizë artificiale” .

Lajme të ngjashme

Back to top button