Gjatë ditëve në vijim pritet që në kufirin jugor të Maqedonisë të kalojnë 23 mijë refugjatë

Në orët e pasdites në kufirin maqedonas-grek nuk ka refugjatë. Vërehet vetëm prania e policisë kufitare si në anën maqedonase po ashtu edhe në atë greke. Policia kufitare e Maqedonisë informoi se sot nuk ka numër të madh të refugjatëve dhe se kalimi i tyre zhvillohet pa ndërprerje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kampin e pranimit për refugjatë, jo shumë larg kufirit maqedonas-grek gjenden rreth 400 refugjatë, të cilët presin trenin i cili do t’i dërgojë në vendkalimin kufitar verior, prej ku vazhdojnë rrugën drejt Serbisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.

Refugjatë në Maqedoni (1)

Lorenzo Lenelli, menaxher terreni i UNHCR-së në deklaratë për AA, tregon se qarkullimi i refugjatëve shkon pa ndërprerë dhe në mënyrë të organizuar, por se gjatë ditëve të ardhshme pritet të rritet numri i refugjatëve që do të arrijnë në kufirin jugor maqedonas.

“Prej dje pasdite deri më tani kanë ardhur 3.500 refugjatë të cilët janë vendosur në kamp, ndërsa në orët në vijim presim edhe një mijë refugjatë. Jemi të përgatitur të presim ata, kemi ushqim dhe ujë, ndërsa edhe Kryqi i Kuq është në teren 24 orë”, ka deklaruar Lorenzo, duke shtuar se pret që në ditët e ardhshme në kufirin jugor të Maqedonisë të kalojnë mesatarisht në ditë nga 5 mijë refugjatë dhe se UNHCR-ja është e përgatitur t’i ndihmojë refugjatët në periudhën e dimrit.

“Presim të kalojnë në ditë rreth 5 mijë. Po përgatitemi për periudhën e dimrit. Jemi duke bërë gati tendat e dimrit, të cilat do ta kenë sistemin e ngrohjes. Tani po u japim batanije, veçanërisht për gratë dhe fëmijët sepse është ftohtë në orët e mbrëmjes”, shtoi ai, duke shtuar se në katër apo pesë ditët e ardhshme pret që në kufirin jugor të Maqedonisë të kalojnë rreth 23 mijë refugjatë.

Refugjatë në Maqedoni (3)

“Ende ka presion në këtë kufi, sipas informacioneve që i kemi marrë, ishulli Lesbos është evakuuar prandaj në katër-pesë ditët e ardhshme presim që 23 mijë refugjatë të arrijnë në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, që do të thotë se vala e refugjatëve do të vazhdojë me intensitet të lartë”, theksoi Lorenzo.

Muhidin nga qyteti Alepo i Sirisë, ka ardhur sot në Maqedoni dhe shpreson se së shpejti do të udhëtojë drejt vendeve evropiane.

“Shkova së bashku me nënën time në Turqi ku qëndruam dhjetë muaj. Nëna shkoi në Gjermani. Atje ka rregulluar dokumentet e nevojshme dhe është duke më pritur” tha për AA, Muhidin nga Halepi. I riu nga Siria me emrin Muhidin, beson se në Gjermani do ta ketë shumë më mirë. Në vendin tim është luftë, atje është DAESH-i. 
“Besoj se në Gjermani na pret një tjetër jetë, më e mirë. E dua vendin tim shumë, por nuk mund të jetoj atje më. Me profesion jam floktarë, dhe do të tentoj të punoj edhe atje” tregon Muhidini.

Në qendrën e pranimit për refugjatë është edhe Ihsani, i cili është nga Pakistani.
Gjermania siç thotë ai, është destinacioni final i tij. “Dua të shkoj në Gjermani sepse situata në vendin tim është shumë e vështirë” thotë Ihsani i cili bashkë me shumë refugjatë tjerë kanë marrë drejtimin e Kroacisë pasi janë mbyllur kufijtë me Hungarinë.

Refugjatë në Maqedoni (4)

Lajme të ngjashme

Back to top button