Haradinaj: Pushtetarët po ia zënë frymën vendit

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK, sot në Han të Elezit ka deklaruar se si pasojë e dëshpërimit me situatën e përgjithshme në vend dhe me papërgjegjësisë totale të pushtetit, partitë opozitare kanë vendosur të jenë pjesë e një fronti të përbashkët.

Sipas Haradinajt, ky front i përbashkët ka për qëllim ndaljen e dëmeve që po i bëhen Kosovës.

Ai ka deklaruar se ata që, aktualisht janë në pushtet, po ia zënë frymën vendit.

Duke folur për gjendjen në Han të Elezit, Haradinaj tha se shihet qartë që edhe kjo komunë është lënë e harruar nga pushteti qendror, dhe shprehu shpresën se situata do të ndryshojë shpejt edhe për Hanin e Elezit, por edhe për Kosovën në përgjithësi.

Ai, gjatë një vizite pune komunës më jugore të Kosovës, ka takuar kryetarin e Komunës, përfaqësues të biznesit, simpatizantë të AAK-së, si dhe ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.

Më parë gjatë ditës Haradinaj ka qëndruar në Fabrikën e prodhimit të ambalazhës fleksibile ushqimore, një investim ky i përbashkët edhe me ndërmarrës të huaj.

Ky projekt i suksesshëm i kapitalit të përzier, ka thënë Haradinaj, është një mesazh i mirë edhe për sipërmarrës tjerë ndërkombëtarë, që të investojnë në ekonominë e Kosovës, e cila është në një situatë bukur të rëndë.

Lajme të ngjashme

Back to top button