Parlamenti e miratoi Ligjin, por ligji si do të zbatohet ?!

Miq të dashur,

Dje Parlamenti i Maqedonisë e miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike, për hetimin e veprave penale që kanë të bëjnë dhe ato që dalin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme nga bisedat telefonike.

Juridikisht, ligji trajtohet si “lex specialis” (ligj special), mbase vet titulli i ligjit përcakton se për cilat vepra penale do të jetë kompetent prokurori special. Nuk ka mëdyshje se së paku sipas asaj që kemi dëgjuar dhe që nuk e kemi dëgjuar deri më tani nga projekti i opozitës “e vërteta për Maqedoninë”, lëndë hetimi do të duhet të jenë një mori veprash penale me natyra të ndryshme.

Por ajo çka nuk përcakton ky ligj është se, nuk ka dispozita që ndalon të bëhet kandidimi i personave të caktuar p.sh. për t’u kandiduar në listat për deputet apo funksione tjera publike edhe pse prokuroria speciale mund të posedojë një mori faktesh dhe provash për ta pandehur ndonjë nga protagonistët.

Mbase ligji special nuk ndalon kandidimet, përderisa nuk ka aktgjykim të plotfuqishëm për ndonjë kandidat përkatës, kuptohet, duke e pasur parasysh deri atëherë presumcionin e pafajësisë.

Mbetet të shihet në praktikë se si do të funksionojë ky ligj edhe pse, prokurorja speciale ka obligim me dispozitë ligjore të raportojë në afate të caktuara për rrjedhën e procedurave, megjithatë prokurorja speciale sipas këtij ligji është e obliguar që në afat prej 18 muajve nga dita e pranimit të lëndëve që të ngritë procedurë apo të ndërpres hetimet për ndonjë vepër përkatëse. Kjo nuk do të thotë se ligji e ndalon që të mos ngritë akuzë edhe para këtij afati, por a do të ndodhë që para zgjedhjeve të ketë akuza zyrtarisht, mbetet të shihet.

Pastaj stërzgjatja mundë të ndodhë edhe me dorëheqjen e prokurores për arsye të ndryshme ,për të cilën do të zhvilloheshin taktika të ndryshme për negocime plotësuese. Pra, sipas ligjit prokurorin special e propozon Parlamenti kurse e emëron Këshilli Republikan i Prokurorëve, kurse për ta shkarkuar, propozim bën Këshilli Republikan i Prokurorëve .A do të ndodhin taktizime të tilla vetëm për t’i stërzgjatur procedurat, përsëri mbetet të shihet.

Miq të dashur, mund të ndodhë që në këto zgjedhje të parakohshme që listat të jenë të mbushura ekskluzivisht nga një numër i madh i protagonistëve që janë të involvuar në këto krime politike dhe ekonomike në vende , bile edhe tek partitë shqiptare.

Mos habiteni se në lista do të jetë përsëri edhe Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, Mile Janakievski, pastaj Musa Xhaferi,  Fatmir Besimi etj. Kurse të parët e partive nominalisht se do tu prijnë listave.

Veshja e progonistëve me petkun e imunitetit të deputetit disi do të mundë t’i stërzgjatë procedurat, mbase për marrjen e imunitetit të deputetit vendos parlamenti me shumicë votash, e si do të jetë raporti i forcave në atë përbërje, mbetet të shihet.

Por , të shpresojmë në sundimin e ligjit, dhe do të jemi kureshtarë të ndjekim se si do të vihen në praktikë në këto procedura gjyqësore vlerat evropiane që aq shumë e kanë të mbushur Evropën me fjalët sundim të ligjit, shtet ligjorë dhe demokraci.

Por ajo që duhet tani, është që t’i mundësohet këtij organi në mënyrë krejtësisht të pavarur ta bëjë punën e përcaktuar me ligj. Askush nuk mund dhe nuk duhet të përzihet në të.
Por gjithsesi opinioni do të ndjek punën e këtij organi, por pa prejudikime.

Lajme të ngjashme

Back to top button