Në peshore kredibiliteti i “prokurores speciale” të Maqedonisë

Menjëherë pas zgjedhjes së prokurores speciale të Maqedonisë, Katica Janeva njohës të çështjeve juridike kanë hedhur dyshime mbi integritetin e saj në kryerjen e kompetencave, raporton Portalb.

Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev për Portalb thotë se nga gjithë ata profesionist të lëmisë që i ka konsultuar për prokuroren e re, nuk i beson zgjedhjes së krerëve të partisë.

“Kam konsultuar shumë njerëz, që e njohin dhe nuk e njohin atë. Nuk dua të tregoj tregime e përalla, e as të hyj të vërtetoj atë që e kam dëgjuar. Fakti që kuadri i prokurorëve nuk i beson, opinioni madje nuk e ka patjetër, do të thotë se puna ka dështuar. Unë deri tash asnjë mendim pozitiv nuk e kam dëgjuar për atë. Po nuk është punë e imja t’i vërtetoj”, shprehet për Portalb Kallajxhiev.

Ka njëqind teori se si është zgjedhur, thotë ai, këtë e dinë vetëm krerët e partive që kanë qenë në atë moment.

Ndërkaq nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Osman Kadriu mendon se është herët për të folur për kredibilitetin e prokurores së re.

“Zgjedhja e prokurores së re është rezultat e asaj se çfarë është arritur në mes liderëve të partive politike në Përzhino. Të flitet për profilin e prokurorit special është akoma herët, ende nuk jemi në dijeni për kapacitetin e saj, kredibilitetin e saj. Por, ndodhi që një prokuror i shkallës më të ulët në prokurorinë shtetërore të zgjidhet prokuror special që ka një kompetencë tejet të rëndë, të koklavitur. Ajo nuk duhet të jetë e varur nga asnjë lloji ndikimi- vetëm atëherë do të realizohet kompetenca- përndryshe do të kemi dështim total. Edhe natyrisht, kriza do të thellohet dhe të merr dimensione të mëdha të tmerrshme për qytetarët, sigurinë dhe gjithë ajo që quhet rregullim shtetëror në Maqedoni”, thekson për Portalb, Kadriu.

Me 111 vota pro, të martën në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar propozimi për zgjedhjen e Katica Janevës për prokurore speciale. Të mërkurën prokurorja speciale ka bërë betimin para këshillit të prokurorëve.

Kush është Katica Janeva?

Katica Janeva11E lindur më 09.02.1965 në Gjevgjeli, studimet i ka kryer në Fakultetin e drejtësisë në Universitetin “Kirili dhe Metodij” nga viti 1983-89 ndërsa provimin e jurispodencës e ka dhënë në vitin 1996.

Që nga viti 2003 ajo është Prokuror publik në Prokurorinë publike në Gjevgjeli. Ka qenë në disa trajnime për prokurorë në Sicili, Serbi dhe SHBA.

Sipas të dhënave nga listat anketuese të funksionarëve publik të publikuara nga ana e Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit, Janeva nga prona private posedon një veturë “Reno 5” në vlerë prej 4.000 euro dhe ka llogari në Tutunska Banka dhe Stopanska Banka.  Si pronë e prindërve të saj janë paraqitur dy shtëpi, njëra me vlerë prej 100.000 euro, ndërsa tjetra 5000, tokë të burrit të saj në vlerë prej 1.000 euro, tokë bujqësore të burrit të saj në vlerë prej 20.000 euro dhe një veturë të burrit të saj “Rover 45” në vlerë prej 20.000 euro.

Babai i saj ka qenë kryetar në Gjykatën Themelore në  Gjevgjeli. Burri i prokurores speciale ka ndërruar jetë, ndërsa dy fëmijët e saj gjenden jashtë.  Është ligjëruese në Akademinë për gjykatës dhe prokuror më Maqedonisë. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button