A do t’i kemi në zgjedhjet e ardhshme të njëjtët dekadentë, inflamativë dhe sterilë?

Derisa dy partitë e spektrit politik shqiptar BDI dhe PDSH, pas aferës së përgjimeve dhe luftimeve në lagjen e trimave në Kumanovë, vazhdojnë të përkrahin qeverinë e Gruevskit, atëherë dihet që në këtë spirale politike, në këto afera dhe skandale janë përfshirë edhe ata.  Pas këtyre ngjarjeve, dy partitë  relevante shqiptare kanë falimentuar moralisht dhe fizikisht. Mos dalja e BDI-së nga koalicioni qeveritar, dhe përkrahja e PDSH-së, që pushon së të qenurit  si opozitë, vuri në dukje se Gruevski i ka nën kontroll dy partitë, të cilat i përdor si vegla për qëllimet e tij.

Për kryeministrin, politikanët shqiptarë janë të dëgjueshëm dhe lojal, ai sillet ndaj politikanëve si një tutor ndaj fëmijëve të pa bindur. Është koha, dhe po bien kambanat, për t’i hequr qafe këta hipokritë dhe vasalë, për të dalë nga amullia, ironia dhe paradokset e palogjikshme. Është koha, për formimin e një fronti unik, të subjekteve të reja politike. Shembull: Lëvizja Besa, Rilindja Demokratike, fraksion i dalë nga PDSH, dhe të tjera.

Është koha të mobilizohen forca të reja politike, me një platformë dhe projekt të përbashkët, transparent dhe pragmatik, për të dalë nga kolapsi dhe anarkia që kanë sjellë liderët tanë. Në këtë turbulence dhe anarki  nuk duhet ndenjur duarkryq, dhe në periferi, apo të heshtësh, por duhet ngritur zëri. Romakët kanë thënie të bukur “zëri i popullit është zëri i Zotit”. Filozofi kinez Konfuci, ka një maksimë madhështore “kur njerëz të pandershëm, hipokritë, në dorë e marrin kauzën dhe fatin e popullit, atëherë fillon tragjedia dhe fatkeqësia  e atij populli”. Kurse njerëzit e menҫur, fisnikë dhe racionalë, ngelin të margjinalizuar  dhe në pasivitet.

Pa humbur kohë, subjektet e reja politike  duhet të bëjnë përgatitje, që në zgjedhjet e ardhshme të sfidojnë rivalët e tyre. Është domosdoshmëri dalja në skenë e një lidershipi që do ta udhëheqë në të ardhmen, partinë politike që përfaqëson vlera progresi dhe prosperiteti.

Mungesa e një lidershipi!

Në zgjedhjet e ardhshme, lideri karizmatik Zoran Zaev do të sfidojë rivalin autokrat dhe nepotist, kryeministrin Gruevski. Por çfarë do të ndodhë në qoftë se subjektet e reja politike shqiptare nuk arrijnë një konsensus? Mungesa e lidershipit, interesat partiake, përҫarja dhe mungesa e unitetit do të pasojnë një përfaqësim të dobët politik në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë do të kemi të njëjtët liderë “Dinossarios”, të njëjtët deputetë që janë shtrydhur si limoni, të njëjtët ministra meskin dhe steril, të njëjtët inflamativ dhe dekadent .

Në fund Zaevi edhe se dy liderët shqiptarë janë “persona non grata” apo të padëshirueshëm, ai do të detyrohet të kurorëzohet me njërin nga ata. Në qoftë se zgjedhjet do të jenë të pastra dhe të ndershme, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, do t’i pranojnë. Kurse shumica e shqiptarëve do të votojnë, të njëjtat subjekte politike dhe liderë, vallë kush do të jetë fajtor.

Është një frazë e shkëlqyer që kam lexuar para dy dekadave nga shkrimtari dhe lideri serb, Vuk Drashkoviç që shkruante në mënyrë teatrale për popullin serb, “siç është populli ashtu janë edhe liderët, siç janë liderët ashtu është edhe populli”. Mos vallë kjo frazë do të vlejë edhe për shqiptarët e Maqedonisë?

Një miku im më tregoi për disa takime dhe biseda që kishte pasur me diplomatë dhe ambasadorë perëndimorë. Ankesat në takime me opozitarë ose biseda private, ku shqiptarët u ankohen diplomatëve, se jemi të diskriminuar për marrëveshjen e dështuar të Ohrit, që ngeli sterile. Për diplomatët këto pyetje naive ishin absurde, dhe tragjikomike. Më në fund ata ishin përgjigjur me një gjuhë  të moderuar dhe fjalorth diplomatik. “Ju keni përfaqësuesit, të zgjedhurit legjitim, dhe nuk keni të drejtë të ankoheni”. Sikur ata të ishin përgjigjur si qytetarë të rëndomtë dhe pa maskë, përgjigjja e tyre intuitive dhe racionale , do të ishte “mjerë populli juaj me liderët që keni”.

Lajme të ngjashme

Back to top button