Edhe kjo është mënyrë jetese

Të kritikosh një sistem të gënjeshtërt shtetëror, pa u bërë pjesë grupimesh politike, nuk është ndjenjë e këndshme. Nuk do të mungojnë ofertat partiake. “Kurdoherë, njeriu që qëndron përmbi partitë është flamuri më i lakmuar dhe më i mirë për partiakët”, thotë Cvajgu.

Të bësh udhën i vetëm, pa ndihmën e askujt, është udhëtim skajshmërish i vështirë dhe me rreziqe. Veçanërisht në kohë përplasjesh të mëdha politike, kur të qenit “përtej” është e barabartë me armiqësinë.

Të kritikosh dhe të jesh njëkohësisht jashtë politikës është më keq se sa të jesh brenda një grupimi politik. Duke qenë pjesë e një grupi, je më i mbrojtur. Të veprosh personalisht duhet të jesh paksa i çmendur…

Kam refuzuar të jem pjesë e grupimeve politike, sepse dua të jem njeri mendimi dhe jo njeri veprimi. Dua të jem nxënës dhe jo mësues. Dua të jem me viktimën dhe jo me përdhunuesin. Dua të dialogoj me të tjerët dhe të bëj monolog me vetveten. Nuk dua të urdhëroj dhe as të urdhërohem. Dua të mendoj siç dua dhe jo siç më kufizon një program i caktuar. Dua të përfaqësoj vetveten dhe jo të tjerët. Nuk dua të humb qartpamësinë. Nuk dua të kem frikë nga gjërat e çmendura. Dua të jem Don Kishot dhe jo Sanço Panço. Dua të jem Erazmo dhe jo Luter.

Kam refuzuar sepse nuk e duroj disiplinën e mendjes. Nuk dua të shërbej dhe as të më shërbejnë. Nuk e duroj miqësinë e rreme. Nuk i duroj lolot e oborrit, që të nxijnë horizontin me lajkat e tyre. Nuk e duroj teatralitetin jashtë skenës teatrore. Nuk dua të bëj jetë të dyzuar: një për vete dhe një për të tjerët; një jetë publike dhe një jetë private. Nuk dua të jap prova besimi te ata që nuk besojnë. Nuk dua askujt t’ia kem frikën dhe askënd ta frikësoj. Dua të jem Unë dhe jo Ne. Dua heshtjen dhe jo zhurmën. Dua Njeriun dhe jo turmën. Nuk më pëlqen shoqëria revolucionare, por shoqëria e të heshturve. Dua që zemërimi im të më dëmtojë mua dhe jo të tjerët. Dua të pendohem për gabimet e mia. Dua nga gabimet e mia mos të dëmtohen të tjerët. Nuk dua të jem shpirtakull, por shpirtkallur. Dua të kem pranë njerëz që duan dhe jo njerëz që urrejnë. Nuk dua të shpif për miqtë e mi të dikurshëm dhe nuk dua miq të shpifur. Nuk dua t’i vras së gjalli njerëzit e ndershëm që më kanë kundërshtuar. Nuk dua të përballem me dilemën: të shkatërroj ose të shkatërrohem. Nuk kënaqem duke mashtruar leshkot dhe të çiltrit. Nuk dua te çdo qenie njerëzore të shoh armikun e mundshëm. Nuk dua të bëhem rob i parasë, me të cilat ruan pushtetin, korrupton, blen, shpërblen po për hir të pushtetit. Thjesht, dua të jetoj jetën sipas zgjedhjes personale dhe jo sipas dëshirës së dikujt tjetër. Ndoshta është çmendi, por edhe kjo është një mënyrë jetese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button