Mafia shqiptare “pushton” Holandën

Zyrtari holandez për “Telegraaf”: Nga 381 të kërkuar nga Interpoli, 160 janë shqiptarë. Janë “banda e vdekjes”, sjellin kokainën direkt nga Amerika Latine.

Kokaina – Shqiptarët po shkojnë vetë në Amerikën Latine për të marrë kokainën, të cilën e sjellin në Holandë, përmes kontejnerëve për t’ua shitur më pas grupeve kriminale të Europës apo për tregun vendas

Rastet – Si dy prej rasteve më domethënëse përmendet ai i vrasjes së 33-vjeçarit Ilirjan Sula në Roterdam për trafikun e kokainës dhe arrestimi i pesë shqiptarëve pak ditë më parë me 85 kg kokainë

Mariglen Mullai

Mafia shqiptare po përparon së tepërmi në Holandë dhe po spikat në trafikun e drogës. Nga 381 persona që policia holandeze i ka shpallur në kërkim për krime të rënda, 160 prej tyre janë shqiptarë. Kështu ka raportuar dje e përditshmja holandeze “Telegraaf”, e cila citon edhe zyrtarë të policisë vendase. Si shembuj që ilustrojnë këtë realitet, janë marrë rastet si ajo e vrasjes së Ilirjan Sulës në Roterdam, për trafikun e kokainës, gjë e cila solli më pas një zinxhir vrasjesh në Tiranë. Sipas gazetës, të gjithë duhet të frikësohen për këtë bandë të tmerrshme mafioze të vdekjes dhe ky grup është në rritje. “Ata janë jashtëzakonisht të dhunshëm dhe shumë të lëvizshëm. Gjithnjë e më shumë si kameleonë ata përshtaten me krimin. Janë vendosur kryesisht rreth Roterdamit, që ta kenë më të lehtë kontrollin e trafikut të kokainës”, shkruan gazeta. Më tej, në artikull thuhet se roli i shquar i shqiptarëve është veçanërisht i dukshëm kur shikon listën e më të kërkuarve të Interpolit. Nga 381 kriminelë të kërkuar për krime të rënda, 160 prej tyre janë nga Shqipëria. “Nuk është një rezultat i keq për një vend me më pak se katër milionë banorë. Ata janë duke u bërë gjithnjë e më të rëndësishëm në botën e krimit. Në Roterdam mund të shikoni qartë se shqiptarët janë duke u përpjekur për të zgjeruar territorin e tyre”, tha Roland Ekkers, zyrtar i Policisë së Roterdamit. Më tej, ai shton se ky grup zgjeron zonën e punës dhe drejtohet kundër atyre ekzistuese, me anë të dhunës. Kriminelët shqiptarë janë veçanërisht aktivë në fushën e trafikut të drogës, trafikimit, grabitjeve dhe pastrimit të parave. Artikulli gjithashtu thekson se shqiptarët po shkojnë vetë në Amerikën Latine për të marrë kokainën, të cilën e sjellin në Holandë, për t’ua shitur më pas grupeve kriminale të Europës. Ky fakt është përforcuar herë pas here edhe nga raportet e Antimafies italiane, e cila përmend rolin në rritje të shqiptarëve në trafikun e kokainës dhe konkurrencën me bandat serbo-malazeze. Arma e krimit me të cilën Ilirjan Sulku (Sula) u vra më 6 prill 2015 në Roterdam të Holandës është gjetur në fillim të korrikut, afër vendit të ngjarjes. Në bazë të zinxhirit të hakmarrjes mendohet se është përplasja për kokainën, teksa italiani dyshohet se u dërgua nga Kamorra. Si autorë të vrasjes së Sulkut dyshohen vëllezërit Markelian dhe Kejvi Doçi. Më 27 maj, vëllai i tij, Besnik Sulku, bashkë me italianin Salvatore Leticia, organizuan një atentat ndaj Mentor Lufit, xhaxhait të vëllezërve Doçi. Prita përfundoi me një masakër të vërtetë, pasi te Fakulteti i Shkencave mbeti i vdekur vetë Besnik Sulku dhe objektivi i tij, Lufi. U vra edhe Gerti Goxhaj, ndërsa italiani dhe vëllezërit Doçi u arrestuan. Në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit në Holandë, mediat atje shkruanin dje se më 29 qershor është nxjerrë nga uji një armë zjarri pistoletë, e cila mendohet se është hedhur nga autorët pas ngjarjes. Zhytësit e peshkuan armën pranë ujërave të Niewe Mass, pikërisht në vendin ku autorët kishin braktisur mjetin tip BMW, me të cilin u larguan pas vrasjes. Më 8 shtator, pesë shqiptarë u arrestuan dje në Roterdam të Holandës, pasi akuzohen si pritës të 85 kilogramëve kokainë, e cila vinte nga Ekuadori, me një kontejner bananesh. Ka pasur disa raportime se disa njerëz po ngarkonin diçka nga një kontejner në zonën Waalhaven. Policia doli me një helikopter dhe me qentë e antidrogës dhe arritën të arrestonin pesë shtetas nga Shqipëria, ku njërin prej tyre e kafshoi qeni i antidrogës. Grupi ishte fshehur nga drita e helikopterit, ndërsa nga kontrollet në terren, policia gjeti çantat sportive plot me drogë, të cilat kishin një peshë totale prej 85 kilogramësh kokainë. Pesë të dyshuarit shqiptarë ishin të moshave nga 27 deri në 43 vjeç. Portet holandeze cilësohen si portat kryesore në të cilat mbërrin kokaina e Amerikës së Jugut, për t’u shpërndarë më pas drejt Europës. Por në Holandë janë zbuluar herë pas here disa grupe grabitësish të dhunshëm, ku njëri prej këtyre bandave të shqiptarëve i dërgonte paratë apo sendet e vjedhura në Shqipëri. Hetimet u zhvilluan nga ekspertët holandezë, në bashkëpunim me prokurorinë shqiptare./GazetShqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button