Filloi viti i ri akademik në Universitetin e Evropës Juglindore

Në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), dje dhe sot  (14-15 shtator 2014), filloi viti i ri akademik 2014/2015, për të gjithë studentët, kurse për studentët e regjistruar në vitin e parë, u organizua pritje solemne. Për shkak të numrit të rritur të studentëve të ri të regjistruar, pritja e studentëve u bë në dy kampuset universitare, ashtu siç edhe janë regjistruar, në kampusin në Shkup dhe Tetovë.

Studentëve të rinj, mirëseardhje iu dëshiroi rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, i cili foli për dallimin e të qenit student i Universitetit të Evropës Juglindore.

“Në këtë Universitet do t’ju mësojnë profesorë dhe një staf i tërë akademik, që është i përkushtuar dhe i trajnuar për t’ju pajisur me dije dhe kompetenca sipas metodologjive më të reja të mësimit, për t’ju udhëzuar, udhëhequr, këshilluar dhe ndihmuar që në mënyrë sistematike të përvetësoni dijet. Ju, do të jeni më të veçantit, sepse do të keni shërbimet më të sofistikuara elektronike dhe administrative në rajon, të cilat janë të dizajnuara për t’iu përshtatur stilit të jetës suaj në mënyrë dinamike, me një dozë të lartë të interaktivitetit.”, tha rektori Dika.

Studentëve të rinj mirëseardhje u dëshiroi edhe prorektori për çështje akademike, Prof. Dr. Andrew Goodspeed.

“Qëllimi ynë është t’ ju mësojmë, jo çka të mendoni, por si të mendoni. Punoni me zell, bëni qejf, kërkoni ndihmë dhe shijoni dallimin që ofron UEJL. Kur unë isha i ri, nuk kisha një celular, google s’ekzistonte dhe Gjermania ishte dy shtete”, tha prorektori Goodspeed.

Arta Demirali, kryetare e Parlamentit Studentor, i siguroi studentët e rinj se ky asociacion, do të jetë gjithmonë përkrah studentëve dhe se së bashku do të kalojnë shumë momente sfiduese, por edhe do të ketë shumë punë për të bërë.

Gjatë javës orientuese, studentët do të njihen me infrastrukturën e Universitetit, do të pajisen me dokumentet e identifikimit studentor (kartelat ID), do ta përpilojnë orarin dhe do të njihen me këshilltarët për çështje studentore dhe administratën e Universitetit.

Ata, po ashtu do të njihen me shërbimet kryesore të universitetit, si shërbimin studentor, shërbimin e teknologjive informatike, bibliotekën, shërbimin e karrierës dhe me fakultetet, ku ata kanë zgjedhur të studiojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button