Avokati i popullit, Memeti ankohet nga MPB dhe DSK

Avokati i popullit, Ixhet Memeti ka qenë i ndaluar ta hulumtojë aferën e përgjimeve në Maqedoni. MPB, DSK dhe Prokuroria publike kanë penguar ushtrimin e detyrës së Avokatit të popullit, raporton Portalb.

“Kam pasur probleme me policinë dhe prokurorinë dhe në Qeveri. Kam përgatit raport të posaçëm dhe kam informuar parlamentin se ashtu është me ligjin e Avokatit e popullit. Unë më 1 shtator kam hartuar raport të posaçëm për punën time, për shkelje drastike të Ligjit të avokatit të popullit nga ana e policisë, prokurorit dhe qeverisë. Kam kërkuar që parlamenti në mbledhje të ardhshme të debatojë mbi çështjen se pse organet nuk e respektojnë kushtetutën dhe ligjin, konkretisht pse MPB dhe Qeveria nuk respektojnë kushtetutën dhe ligjin dhe të merr masa ndaj tyre”, thotë për Portalb Memeti.

Memeti ka qenë i ndaluar ta hulumtojë aferën e përgjimeve në Maqedoni, si pengesë më e madhe janë paraqitur MPB dhe Prokuroria publike.

Ata kanë refuzuar të dhënat e Avokatit të popullit, duke u arsyetuar se janë “të dhëna sekrete” ose “për atë duhet proces gjyqësor” dhe jo Avokat i popullit.

Avokati duke vepruar sipas parashtresës nga një qytetar, nga muaji mars i këtij viti, për shkelje të privatësisë nëpërmes përgjimit, ka kërkuar informacione nga MPB, gjegjësisht DSK dhe Prokuroria publike, por të dy institucionet së pari nuk iu kanë përgjigjur dhe pastaj i kanë thënë se ai nuk është kompetent që të kërkojë informacione të tilla. Memeti këtë e ka dëshmuar në raportin e posaçëm, ku ka informuar deputetët për përgjigjet që i ka marrë nga Prokuroria publike.

“Prokuroria publike e informon Avokatin e popullit se nuk do t’i dorëzohen informacionet e kërkuara për fakti se konsiderohen sekrete, gjegjësisht ofrimi i të dhënave të këtilla paraqet zbulim indirekt dhe veprim që për nga natyra është e fshehtë dhe mund të sjellë në pikëpyetje zbatimin e suksesshëm”, i ka shkruar prokurori publik avokatit të popullit, përcjell Portalb.

Avokati i Popullit dëshmon se Nenet 24 dhe 27 nga Ligji për Avokatin e popullit thonë se të gjithë organet duhet të bashkëpunojnë me Avokatin e popullit.

Sipas ligjit, avokati i popullit është i pavarur dhe i mëvetësishëm në kryerjen e funksionit. Avokati i popullit punët nga kompetencat e tij i kryen në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës, ligjit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në pajtim më Kushtetutën, shkruan në Nenin 3 të ligjit për Avokatin e popullit.

Lajme të ngjashme

Back to top button